Sa lehtë përhapen lajmet e rrejshme në botën shqiptare dhe pse kjo po e shkatërron debatin publik.
Pyesim veten: pse ka aq shumë njerëz në botën shqiptare që besojnë në lajme të rrejshme? Pse manipulohen kaq lehtë? Pse, pa menduar dy herë, bien pre e kurtheve mediale? Pse u besojnë rrenave?
Dy shembujt në vijim tregojnë se populli shqiptar – nga nxënësit në shkollat fillore deri te pensionistët në moshë të shtyrë – ka nevojë urgjente për edukim medial dhe për aftësi që i mundësojnë të dallojë lajmet e rrejshme, dezinformatat, shtrembërimet e lajmeve, devijimet e qëllimshme dhe propagandën.
Shembulli i parë: para më shumë se 15 vjetësh nisi të qarkullonte një hajgare se George Washingtoni ishte me origjinë shqiptare, madje nga Peja. Në vitin 2026 ende ka njerëz që i besojnë këtij lajmi të rrejshëm, të shkruar për 1 prillin e vitit 2011, pra për ditën e rrenave, dhe të botuar në “Koha Ditore”.
Si është e mundur që ende ka njerëz që besojnë në këtë përrallë, ndonëse lajmi është përgënjeshtruar 1001 herë?
Shembulli i dytë: para gjashtë vjetësh, portale dhe të ashtuquajtur lexues nisën të shpërndanin një deklaratë që e paskësh dhënë Giorgio Napolitano kur ishte president i Italisë (2006–2015). Napolitano citohet të ketë thënë: “Nëse Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi do të kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do ta kishin pushtuar botën me diplomaci, por, për fat të keq, këto dy figura i përkasin një populli shumë të vogël…”.
Në vitin 2020, ky lajm i një portali u shpërnda nga 600 profile në Facebook. Imagjinojeni: 600! Një portal shkroi: “…bëhet e ditur se (Napolitano) gëzonte respekt shumë të madh për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova”.
Nuk ka asnjë dëshmi se Napolitano është autor i fjalëve të cituara. Nuk ka asnjë burim. Nuk dihet nga u shfaq ky lajm i rrejshëm. Por mileti e besoi gjatë këtë mashtrim.
Për të mos mbetur vetëm në të kaluarën: gazetat më të famshme të botës hulumtuan gjerë e gjatë këto ditë rastin e pilotit të kompanisë Flydubai, i cili sulmoi me sëpatë kapitenin dhe deshi ta rrëzonte avionin me qindra pasagjerë që po fluturonte nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Tel Avivit.
Këto gazeta arritën në përfundimin se shenjat e radikalizimit të pilotit Hamam al-Hamami ishin shfaqur vite përpara sulmit. Sipas mediave perëndimore, gjatë qëndrimit për studime në Australi, ai ndiqte përmbajtje islamiste ekstreme në internet.
Gazeta e famshme britanike “Financial Times” analizoi mbi 3000 postime të Hamam al-Hamami nga vitet 2021–2022, në të cilat shfaqeshin pikëpamje fetare skajshëm konservatore dhe përçmim ndaj grave. Në janar të vitit 2022, al-Hamami shkruante: “Jam 25 vjeç dhe dua të martohem më mirë sot sesa nesër!” Kërkonte që bashkëshortja të mbante nikab (mbulesë fytyre) dhe të mos punonte pas martesës. Në një tjetër postim pretendonte se detyrimi i vetëm i një gruaje ishte “të ngrinte këmbët”. Nuk dihet nëse në atë periudhë kishte edhe synime terroriste.
Në vitin 2024, Oman Air zbuloi aktivitetet e tij ekstremiste në internet dhe e largoi nga fluturimet. Sipas raportimeve, autoritetet omanase e përfshinë në një program deradikalizimi, ndërsa kompania e transferoi në një vend pune në zyrë. Ai më pas dha dorëheqjen. Në vitin 2025 ndoqi një trajnim tremujor te Royal Air Maroc, por nuk u punësua.
Në shkurt të vitit 2026, al-Hamami u punësua te Flydubai. Sipas Reuters, kishte aplikuar posaçërisht te kompani që fluturonin drejt Izraelit, çka ngre dyshimin se sulmin mund ta ketë menduar që gjatë kërkimit të punës. Më 30 shtator sulmoi kapitenin me sëpatë dhe tentoi ta rrëzonte avionin, por u neutralizua nga pasagjerët. Paralajmërimet për të kaluarën e tij ekzistonin; ende nuk është sqaruar nëse Flydubai kishte dijeni për to dhe pse shqetësimet e autoriteteve omanase nuk u morën parasysh.
Informacionin mbi rastin e këtij piloti nga Omani e postova gjatë fundjavës në profilin tim në Facebook. Pa vonuar, ndërhynë me komente “lexues”, të cilët ishin “të bindur” se e gjithë situata dramatike me avionin e Flydubai ishte një inskenim. Herë përmendej “Mosadi”, herë “sionistët”. Dëshmi? Asnjë. Madje kishte të tillë që sulmuan edhe autorin e lajmit, sepse po cituaka media jokredibile, të cilat na qenkan në “duart e sionistëve”. Deri këtu arrin marrëzia. Deri këtu!
Janë të njëjtat gazeta që në vitet 1998 dhe 1999 kanë dokumentuar krimet serbe ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Atëherë kanë qenë të besueshme. Sot, sipas dudukëve digjitalë, nuk janë.
Si të sillemi ndaj njerëzve të tillë? Nuk ka një metodë të sprovuar. Komentet raciste është më mirë të fshihen kur racistët i postojnë në profilet e të tjerëve. Mund të jetë tunduese t’i korrigjojmë informacionet e pasakta në rrjetet sociale nëpërmjet komenteve. Por ekziston një rrezik i madh: ky ndërveprim mund t’i shtyjë algoritmet ta nxjerrin postimin në pah. Ti mendon se po korrigjon diçka, por kështu ndihmon në përhapjen e lajmeve të rrejshme, nga të cilat doje t’i mbroje të tjerët. Hall i madh!
Një rrugë e mundshme është kjo: nëse përballeni me dezinformata në rrjetet sociale, raportojini te platformat përkatëse. Shpesh, për fat të keq, këto platforma e interpretojnë lirinë e fjalës tepër gjerë dhe për këtë kritikohen me të drejtë. Por nganjëherë i heqin dezinformatat dhe i njoftojnë përdoruesit që i shpërndajnë se po përhapin informacione të rrejshme.
Duhet pranuar: si Meta (Facebook, Instagram, WhatsApp), ashtu edhe X (ish-Twitter), e kanë reduktuar ndjeshëm heqjen e lajmeve të rrejshme. Në vend të kësaj, postimeve u shtohen shënime sqaruese. Ndërkohë, po shihet se këto shënime nuk i mbrojnë përdoruesit nga lajmet e rrejshme.
Mos u befasoni nëse një ditë lexoni lajmin se janë takuar George Washingtoni, Ibrahim Rugova, Giorgio Napolitano dhe Arbën Xhaferi. Tani bile lajmi mund të ilustrohet edhe me një fotografi nga takimi – inteligjenca artificiale bën mrekulli.