Organizatat zvicerane të pishinave dhe saunave po kërkojnë ndalimin e syzeve inteligjente me kamera në të gjitha hapësirat e tyre.
Shqetësimi lidhet me mundësinë e fotografimit dhe filmimit të njerëzve pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre, veçanërisht në zonat ku privatësia është e ndjeshme.
Tri organizata zvicerane kanë bërë thirrje që qytetet dhe komunat të ndryshojnë rregulloret e pishinave, duke ndaluar mbajtjen e syzeve me kamera në ambientet e pishinave të hapura, pishinave të mbyllura dhe saunave.
Sipas mediumit zviceran Watson, kërkesa vjen nga Shoqata Zvicerane e Kujdestarëve të Pishinave, Shoqata e Pishinave të Mbyllura dhe të Hapura, si dhe Shoqata Zvicerane e Saunave, transmeton Telegrafi.
Organizatat paralajmërojnë se përhapja e syzeve inteligjente, të cilat kanë kamera të integruara dhe duken pothuajse njësoj si syzet e zakonshme, po e vështirëson mbrojtjen e privatësisë së vizitorëve.
Ndryshe nga telefonat celularë, të cilët zakonisht vërehen kur përdoren për fotografim ose filmim, kamerat e integruara në syzet inteligjente mund të përdoren pa tërhequr vëmendjen e personave përreth.
Kjo paraqet shqetësim të veçantë në dhomat e zhveshjes, në zonat e pishinave dhe në sauna, ku njerëzit presin që privatësia e tyre të respektohet.
Për këtë arsye, organizatat kërkojnë që ndalimi të zbatohet në të gjithë territorin e objekteve të banjave, jo vetëm në hapësirat e zhveshjes.
Organizatat u kanë rekomanduar qyteteve dhe komunave që t’i përshtatin rregulloret e pishinave për ta përfshirë shprehimisht ndalimin e syzeve me funksion fotografimi dhe filmimi.
Për të ndihmuar stafin në zbatimin e rregullave të reja, ato kanë përgatitur gjithashtu udhëzime dhe postera informues për vizitorët.
Debati për përdorimin e syzeve inteligjente është intensifikuar muajt e fundit. Në Bernë, Cyrih dhe qytete të tjera janë paraqitur iniciativa politike që kërkojnë kufizimin ose ndalimin e këtyre pajisjeve në pishina publike dhe ambiente sportive.
Nisma synon të mbrojë privatësinë e qytetarëve dhe të parandalojë përhapjen e pamjeve të regjistruara pa pëlqimin e personave të filmuar./Telegrafi/