Një festë ilegale në Cyrih përfundoi me përleshje të dhunshme, pasi pjesëmarrësit sulmuan policinë me gurë, shishe qelqi dhe mjete piroteknike.
Ngjarja ka nxitur reagime në skenën politike zvicerane, ndërsa kërkohen masa për të parandaluar incidente të ngjashme.
Kjo ngjarje ndodhi natën mes së shtunës dhe së dielës, më 10 dhe 11 tetor, në zonën e Hardplatzit në Cyrih. Policia u njoftua pak pas orës 23:00 për festën, e cila fillimisht ishte toleruar.
Megjithatë, pas raportimeve për dëmtime të fasadave dhe automjeteve, shpërthime fishekzjarrësh dhe shqetësime për banorët, policia vendosi ta shpërndante turmën. Më shumë se 100 persona, disa prej tyre të maskuar, u urdhëruan disa herë të largoheshin nga zona.
Në vend të kësaj, ndaj policëve u hodhën gurë dhe shishe qelqi, ndërsa disa persona i qëlluan ata me raketa piroteknike. Për shkak të sulmeve, efektivët u detyruan fillimisht të tërhiqeshin.
Për ta vënë situatën nën kontroll, policia përdori irritues kimikë, topin e ujit dhe plumba gome. Gjatë përleshjeve, protestuesit e dhunshëm bllokuan rrugë dhe dogjën rreth dy duzina kontejnerësh mbeturinash, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.
Situata u vu nën kontroll rreth orës 03:00 të mëngjesit.
Një polic mbeti i lënduar, ndërsa disa automjete policore pësuan dëme të mëdha, disa prej tyre deri në atë masë sa nuk mund të përdoren më. Policia ka sekuestruar edhe pajisje muzikore dhe po vazhdon hetimet.
Ngjarja ka nxitur reagime politike në Cyrih. Partia Popullore Zvicerane (SVP) e kantonit të Cyrihut dënoi sulmet ndaj policisë dhe kërkoi masa të rrepta ndaj personave përgjegjës.
Sipas SVP-së, sulmet me raketa, gurë dhe shishe ndaj efektivëve përbëjnë rrezik serioz për sigurinë publike. Partia kërkon që autorët të ndëshkohen ashpër dhe që policia të ketë mbështetjen e nevojshme për të përballuar incidente të tilla.
Rasti ka rikthyer debatin për sigurinë në hapësirat publike dhe mënyrën se si autoritetet duhet të reagojnë ndaj festave të paautorizuara që përfundojnë në dhunë. /Telegrafi/