Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri ka reaguar lidhur me deklaratat e komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, kundër ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Tahiri ka thënë se reagimi i Kos është në vazhdën e qëndrimeve të mëparshme të Bashkimit Evropian, ndërsa ka theksuar se Kuvendi i Kosovës tashmë e ka miratuar ligjin.
Ai ka bërë të ditur se Aleanca mbetet e përkushtuar për të mbështetur katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
“Ajo çka mund të them rreth reagimit të komisioneres Kos është thjesht një reagim i Bashkimit Evropian në vazhdimësi të asaj që ka ndodhur me deklaratën e BE-së. Kuvendi ka miratuar një ligj, ne zotohemi që si Kuvend të bëjmë gjithçka që është e mundshme për t’i mbështetur katër çlirimtarët në Hagë”, ka deklaruar Tahiri.
Reagimet vijnë pas deklaratave të komisioneres evropiane Marta Kos, e cila i ka cilësuar të papranueshme ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se ato bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian. /Telegrafi/