Shteti zviceran po vazhdon të përballet me mungesë të mjekëve profesionistë, edhepse, numri i mjekëve po vazhdon të rritet dita-ditës.
Mungesa më e madhe e mjekëve po theksohet te ata familjarë, pediatërve dhe psikiatërve dhe për ta përballuar këtë problem, po synohet shtimi i vendeve të studimit si dhe përmirësimi i kushteve të punës.
Mungesa e mjekëve në Zvicër po mbetet një sfidë për sistemin shëndetësor, sepse, popullsia po rritet dhe po plaket, ndërsa, shumë mjekë po i afrohen moshës së pensionimit.
Kjo gjë vetëm po e rritë kërkesën për shërbime shëndetësore dhe e vështirëson mbulimin e nevojave të pacientëve, shkruan SRF CH, transmeton Telegrafi.
Një tjetër faktor është numri i kufizuar i vendeve për studime të mjekësisë, i cili ndikon në kapacitetin e Zvicrës për të përgatitur mjaftueshëm profesionistë brenda vendit.
Si pasojë, vendi mbështetet edhe te mjekët e diplomuar jashtë Zvicrës, të cilët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të komunitetit të mjekëve.
Për të përballuar mungesën, po shqyrtohen masa për rritjen e numrit të vendeve në fakultetet e mjekësisë dhe në programet e specializimit në spitale.
Këto masa synojnë të rrisin numrin e mjekëve të përgatitur brenda vendit dhe të zvogëlojnë varësinë nga profesionistët e huaj. Për realizimin e tyre nevojitet bashkëpunim mes qeverisë federale, kantoneve dhe institucioneve arsimore.
Një tjetër sfidë për sistemin shëndetësor është ndryshimi i preferencave profesionale.
Gjithnjë e më shumë mjekë zgjedhin të punojnë me orar të pjesshëm, duke i kushtuar më shumë rëndësi ekuilibrit mes punës dhe jetës private.
Përveç kësaj, një pjesë e mjekëve largohen nga profesioni gjatë viteve të para pas diplomimit, duke e shtuar presionin mbi institucionet shëndetësore.
Për këtë arsye, krahas shtimit të vendeve të studimit, diskutohen edhe përmirësimi i kushteve të punës dhe organizimi më fleksibil i orareve.
Mungesa e mjekëve mund të ndikojë drejtpërdrejt te pacientët, përmes kohëve më të gjata të pritjes dhe vështirësive për të gjetur mjek familjar, veçanërisht në zonat jashtë qendrave të mëdha urbane.
Një nga zgjidhjet e mundshme është forcimi i qendrave shëndetësore ku mjekët bashkëpunojnë me profesionistë të tjerë të shëndetësisë. Kjo synon të përmirësojë koordinimin e trajtimit dhe qasjen e pacientëve në shërbime.
Megjithatë, rritja e numrit të vendeve të studimit nuk pritet të japë rezultate të menjëhershme. Përgatitja dhe specializimi i një mjeku kërkojnë disa vite, ndaj lufta kundër mungesës së profesionistëve shëndetësorë mbetet një sfidë afatgjatë për Zvicrën./Telegrafi/