Ekonomistët amerikanë Robert Hall dhe Michael Woodford janë shpallur fitues të çmimit Nobel në Ekonomi për punën e tyre mbi mënyrën se si politikat monetare dhe fiskale mund të ndihmojnë në stabilizimin e luhatjeve të ekonomisë.
“Puna e laureatëve na ka siguruar një bazë të qëndrueshme teorike për modelet që përdoren sot nga bankat qendrore dhe qeveritë në mbarë botën”, thuhet në deklaratën e Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, e cila përzgjedh fituesit.
John Hassler, kryetar i komitetit të çmimit, theksoi se puna e dy ekonomistëve ndihmon në përballimin e goditjeve ekonomike, si krizat energjetike apo ndryshimet e papritura në konsumin e familjeve.
Gjatë krizave të naftës në vitet 1970, modelet kejnesiane që përdoreshin prej kohësh për të përcaktuar se kur dhe si duhej të ndërhynin autoritetet për të përballuar recesionet dhe luhatjet e tjera ekonomike, nuk arritën të jepnin rezultatet e pritura. Kjo nxiti Hallin dhe Woodfordin të zhvillonin mjete të reja për të kuptuar se cilat masa ekonomike mund të ishin më efektive.
Në vend që t’i mbështetnin modelet vetëm në lidhjet statistikore mes treguesve makroekonomikë, si inflacioni, prodhimi dhe konsumi, ata zgjodhën t’i ndërtonin mbi baza mikroekonomike, transmeton Telegrafi.
Sipas jurisë së Akademisë, kjo qasje përfshin analizën e mënyrës se si vendimet individuale të familjeve dhe bizneseve, të marra së bashku, ndikojnë në funksionimin e ekonomisë në tërësi.
Çmimi Nobel në ekonomi është i vetmi nga çmimet Nobel që nuk ishte pjesë e pesë çmimeve të përcaktuara fillimisht në testamentin e shkencëtarit suedez Alfred Nobel, i cili vdiq në vitin 1896. Ai u krijua në vitin 1968, falë një donacioni nga Banka Qendrore e Suedisë.
Për shkak të origjinës së tij të veçantë, disa kritikë e kanë quajtur çmimin e ekonomisë një “Nobel të rremë”. Megjithatë, fituesit përzgjidhen nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave, sipas një procesi të ngjashëm me atë që përdoret për çmimet në fizikë dhe kimi.
Vitin e kaluar, çmimi iu dha ekonomistit amerikan dhe izraelit Joel Mokyr, francezit Philippe Aghion dhe kanadezit Peter Howitt, për kërkimet e tyre mbi mënyrën se si teknologjia nxit dhe ndikon në rritjen ekonomike.
Ashtu si çmimet e tjera Nobel, edhe çmimi në ekonomi përfshin një diplomë, një medalje ari dhe një shpërblim financiar prej 1.2 milionë dollarësh, rreth një milion euro.
Hall dhe Woodford do t’i marrin çmimet gjatë ceremonive zyrtare më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit, i cili i krijoi çmimet në testamentin e tij. /Telegrafi/