Çmimet e karburanteve në Shtetet e Bashkuara kanë arritur nivelin më të lartë që nga fillimi i luftës me Iranin, duke shkaktuar shqetësim te konsumatorët dhe presion shtesë mbi ekonominë amerikane, veçanërisht në prag të sezonit të verës.
Mesatarja e çmimit të benzinës ka arritur rreth 4.12 dollarë për gallon (afërsisht 0.96 euro për litër), që për SHBA-në përbën një rritje të ndjeshme krahasuar me muajt e mëparshëm, edhe pse mbetet më e ulët se në Evropë.
Rritja është e dukshme krahasuar me fundin e shkurtit, kur filluan sulmet ndaj Iranit, duke shtuar mbi 1 dollar për gallon në çmimin e benzinës dhe duke reflektuar ndikimin e drejtpërdrejtë të tensioneve në tregjet globale të energjisë.
Situata është edhe më e rëndë për naftën, e cila ka arritur rreth 5.65 dollarë për gallon (afërsisht 1.32 euro për litër), duke e afruar tregun amerikan me nivelet e çmimeve evropiane, shkruan usatoday.
Rritja e çmimeve lidhet kryesisht me ndërprerjet dhe pasiguritë në furnizimin global të naftës, veçanërisht përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e energjisë, si dhe me ndikimin e luftës në tregjet ndërkombëtare.
Edhe pse në ditët e fundit është vërejtur një ulje e lehtë e çmimeve për shkak të pritjeve për një marrëveshje të mundshme paqeje, ato mbeten ende të larta dhe pritet të vazhdojnë të ndikojnë në inflacion dhe kosto të jetesës në SHBA për javët në vijim. /Telegrafi/