Joao Felix po synon rikthimin në futbollin evropian dhe dëshiron që destinacioni i tij i ardhshëm të jetë Barcelona, pasi t’i përfundojë kontrata me Al Nassr më 30 qershor 2027.
Sulmuesi portugez, i cili aktualisht është 26-vjeçar, synon të rikthehet në Evropë si lojtar i lirë, ndërsa sipas raportimeve të mediumit spanjoll Sport, përfaqësuesit e tij tashmë e kanë njoftuar Barcelonën për gatishmërinë e tij për t’u rikthyer në “Camp Nou”, pa pasur nevojë që klubi katalunas të paguajë për kartonin e tij.
Megjithatë, për momentin nuk bëhet fjalë për negociata konkrete. Barcelona e ka të mbuluar repartin ofensiv, por mundësia e transferimit të një futbollisti pa kosto kartoni mund të mbetet një alternativë për verën e vitit 2027. Gjithçka do të varet nga paraqitjet e portugezit dhe planet e klubit për sezonin e ardhshëm.
Felix asnjëherë nuk e ka fshehur lidhjen e tij me Barcelonën. Në një intervistë të fundit për AS, ai pranoi se të luante për klubin katalunas kishte qenë një ëndërr që nga fëmijëria, ndërsa konfirmoi dëshirën për t’u rikthyer në futbollin evropian dhe për të garuar sërish në Ligën e Kampionëve.
Portugezi e veshi fanellën e Barcelonës gjatë sezonit 2023/24, kur ishte i huazuar nga Atletico Madridi. Në atë periudhë zhvilloi 44 ndeshje zyrtare dhe shënoi 10 gola, por nuk arriti të sigurojë një vend të rregullt në formacionin e Xavi Hernandezit.
Barcelona vendosi të mos kërkonte vazhdimin e qëndrimit të tij, ndaj Félix u kthye te Atletico Madridi, përpara se të transferohej te Chelsea. Klubi anglez pagoi rreth 50 milionë euro, plus bonuse, për shërbimet e tij dhe i ofroi një kontratë afatgjatë. Megjithatë, vetëm një vit më vonë, portugezi u largua drejt futbollit saudit.
Në korrik të vitit 2025, Al Nassr e transferoi Felixin me kontratë dyvjeçare, deri në qershor të vitit 2027.
Në Arabinë Saudite, sulmuesi ka rigjetur formën dhe produktivitetin ofensiv që i mungonin në periudhën e fundit në Evropë./Telegrafi/