Shtetet e Bashkuara kanë hequr Sirinë nga lista e vendeve ndaj të cilave zbatohej një ndalim i përgjithshëm për eksportet e armëve amerikane, në një tjetër hap drejt forcimit të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe qeverisë së re në Damask.
Departamenti amerikan i Shtetit ka ndryshuar rregullat e International Traffic in Arms Regulations (ITAR), duke bërë që kërkesat për shitje dhe transferime të pajisjeve dhe shërbimeve të mbrojtjes për Sirinë të mund të shqyrtohen rast pas rasti. Vendimi hyn në fuqi më 1 tetor 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, më 19 gusht 2026, sekretari i Shtetit miratoi një politikë të re për tregtinë e mbrojtjes me Sirinë, e cila i hap rrugë shqyrtimit të licencave për eksportet e artikujve dhe shërbimeve ushtarake, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, ndryshimi nuk do të thotë se Siria ka marrë automatikisht miratimin për blerjen e armëve amerikane. Çdo kërkesë do të vlerësohet veçmas dhe do t’i nënshtrohet procesit të licencimit dhe kontrolleve amerikane.
Vendimi vjen pas një sërë hapash të ndërmarrë nga administrata Trump për të lehtësuar kufizimet ndaj Sirisë pas përfundimit të regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor 2024.
Në gusht, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi heqjen e Sirisë nga lista e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, ndërsa më herët Uashingtoni kishte lehtësuar edhe një pjesë të sanksioneve ekonomike ndaj vendit.
Më 16 shtator, SHBA hoqi gjithashtu kufizimet e mbetura për shitjet e armëve dhe financimin ushtarak të Sirisë, duke përmendur interesat e sigurisë kombëtare amerikane.
Presidenti aktual i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka kërkuar forcimin e marrëdhënieve me Uashingtonin dhe heqjen e pengesave ekonomike që, sipas tij, vështirësojnë rimëkëmbjen e vendit pas viteve të luftës civile.
SHBA ka njoftuar gjithashtu planet për rishikimin e mundësisë së rihapjes së ambasadës në Damask, e mbyllur që nga viti 2012.
Heqja e Sirisë nga lista e ndalimit të përgjithshëm të eksporteve amerikane të armëve shënon kështu një ndryshim të rëndësishëm në politikën e Uashingtonit ndaj Damaskut, ndërsa çdo marrëveshje konkrete ushtarake do të varet nga licencat dhe shqyrtimet e ardhshme amerikane. /Telegrafi/