Pjesë të Bangkokut mbetën nën ujë të hënën, pasi reshjet e vazhdueshme dhe të dendura tejkaluan kapacitetin e sistemit të kullimit të qytetit.
Në zonën Bang Kapi, banorët ecnin në ujë që u arrinte deri në gjunjë ose në bel për të siguruar gjërat e nevojshme, ndërsa varka të vogla ndihmonin njerëzit të arrinin te dyqanet.
Në disa zona u regjistruan mbi 30 centimetra reshje, me rreth 300 milimetra shi të rënë brenda 48 orëve në pjesë të kryeqytetit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Përmbytjet shkaktuan probleme në rrugë, biznese dhe transportin publik, ndërsa disa automjete u zhytën pjesërisht në ujë.
Autoritetet shpallën gjendje katastrofe në të 50 distriktet dhe caktuan të hënën e të martën si ditë pushimi për të reduktuar trafikun dhe për të lehtësuar ndërhyrjen e shërbimeve të urgjencës.
Gjithashtu, u mbyllën shkollat nën administrimin e Bashkisë së Bangkokut.
Atje u hapën më shumë se 200 qendra të përkohshme strehimi, ku të dielën qëndronin rreth 3,000 persona.
Guvernatori i Bangkokut, Chadchart Sittipunt, deklaroi se sistemet e kullimit po punonin me kapacitet të plotë, por paralajmëroi se nivelet e larta të ujit në kanale mund ta zgjasin kohëzgjatjen e përmbytjeve në disa zona.
Zyrtarët thanë se mund të nevojiten dy ose tri ditë pa shi për të larguar ujin e mbetur.
Përmbytjet kanë prekur gjithashtu më shumë se 545,000 njerëz në 25 provinca jashtë Bangkokut.
Sipas zyrtarëve të menaxhimit të fatkeqësive, të paktën tetë persona kanë humbur jetën që nga data 16 shtator. Në përditësimin e fundit, nuk ishte raportuar asnjë viktimë në Bangkok. /Telegrafi/