Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar mënyrën se si u menaxhua situata në Irak pas ndërhyrjes amerikane, duke e lidhur shkarkimin e strukturave të sigurisë me krijimin e grupit terrorist ISIS.
“Ata i pushuan të gjithë nga puna në Irak – ushtarët, gjeneralët, policët. Nuk kishin askënd që ta drejtonte Irakun dhe kështu u formua ISIS-i”, tha ai.
Sipas tij, administrata amerikane ka nxjerrë mësime nga ajo përvojë dhe nuk do të përsërisë të njëjtën qasje.
“Ne e bëjmë shumë ndryshe. Mësuam nga marrëzia e asaj që bënë në Irak”, u shpreh lideri amerikan.
Trump nuk dha më shumë detaje rreth masave konkrete për të cilat po fliste, por komentet e tij rikthejnë në vëmendje pasojat e vendimeve të marra pas rrëzimit të regjimit të Saddam Husseinit në vitin 2003.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se e kanë “përfunduar zyrtarisht” misionin e tyre kundër ekstremistëve në Irak, pas tërheqjes së trupave nga baza ajrore e Erbilit në rajonin e Kurdistanit. /Telegrafi/