Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe kryeministri Hristijan Mickoski, dhanë një deklaratë para ambienteve të MPB-së ku ruhen 40 ton marihuanë e sekuestruar dhe njoftuan hetim të detajuar për rastin.
“Sot, së bashku me kryeministrin, drejtorin e Byrosë së Sigurisë Publike dhe pjesën tjetër të ekipit të MPB-së, kemi mundësinë të shohim këto 40 ton marihuanë të sekuestruara në fazën e parë të hetimit. Marihuana është prodhuar, ruajtur dhe mbajtur jashtë atyre protokolleve të përcaktuara, që do të thotë se është trajtuar ilegalisht nga kompanitë nga të cilat është sekuestruar”, tha Toshkovski.
Ai tha se marihuana është ruajtur përkohësisht në ambientet e MPB-së për t’u përdorur në procedurën e provave. Toshkovski tha se hetimi po vazhdon.
Mickoski tha se operacioni i sekuestrimit synon të tregojë se askush nuk është mbi ligjin.
“Kjo gjë pas meje është pjesë e 40 tonëve marihuanë, diçka që është rezultat i një politike të gabuar që nuk duam ta përsërisim. Pres që sot në një seancë qeveritare të merret vendimi për të formuar një komision dhe një ekip që do të shqyrtojë punën e disa subjekteve ligjore dhe do të përcaktojë se kush po punon në përputhje me ligjin dhe kush nuk po punon sipas ligjit. Gjithçka që ka ndodhur në ditët e fundit synon të tregojë se nuk ka kompromis me padrejtësinë dhe paligjshmërinë dhe se askush nuk është mbi ligjin dhe se Ministria e Brendshme do të merret me sfidat me të cilat përballet me të gjithë kapacitetin e saj”, tha Mickoski.
Ai dërgoi mesazh se krimi nuk shpërblehet dhe se të gjithë kriminelët do të kapen dhe do të ndëshkohen rëndë.
“Dua t’u dërgoj një mesazh të gjithë atyre që vendosën se krimi është një biznes fitimprurës, ndoshta ishte kështu në një kohë tjetër, por sot krimi nuk shpërblehet, do të gjendeni dhe do të ndëshkoheni rëndë”, tha Mickoski.