Ndërsa vendimi zyrtar për pjesëmarrjen ose anulimin e Iranit në Kupën e Botës ende pritet, Meksika i ka hapur derën kësaj përzgjedhjeje aziatike për të luajtur ndeshjet e Kupës së Botës në atë shtet.
Iranianët nuk kanë ndërmend të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë planifikuar të luajnë të tre ndeshjet e fazës së grupeve të Kupës së Botës, për shkak të luftës që amerikanët dhe Izraeli po bëjnë me Iranin.
Megjithatë, Irani i ka kërkuar FIFA-s që ndeshjet e Kupës së Botës të zhvillohen në Meksikë, e cila po organizon edhe Kupën e Botës, por FIFA ka hedhur poshtë çdo mundësi, duke thënë se Kupa e Botës do të luhet sipas një orari të paracaktuar.
Edhe pse ka shumë pak mundësi që FIFA ta lejojë Iranin të ndryshojë vendin e ndeshjeve, Meksika është gati t’ia hapë derën këtij ekipi aziatik.
Presidentja Claudia Sheinbaum tha se Meksika mund t’i plotësojë dëshirat e Iranit.
“Nuk ka problem për Meksikën. Është thjesht çështje logjistike e FIFA-s. Është e realizueshme sepse ata fillimisht kishin ndërmend të shkonin në Shtetet e Bashkuara. A mund ta luajnë turneun këtu në Meksikë? Kjo po shqyrtohet dhe ne do t’ju informojmë në kohën e duhur”, theksoi Claudia Sheinbaum, duke folur në Mexico City.
Pavarësisht kësaj, një ndryshim i orarit vetëm 12 javë para fillimit të turneut duket i pamundur.
Është e dyshimtë se çfarë do të ndodhte nëse Irani do të luante në Meksikë dhe më pas do të kalonte grupin, sepse të gjitha ndeshjet e fazës eliminatore, përveç njërës, luhen në SHBA. /Telegrafi/