Nga: Fiona Sturges / The Guardian (titulli: It’s the Hollywood sensation we’re all enjoying: ageing cinema megastars lured to a TV screen near you)
Përkthimi: Telegrafi.com
Shrinking, seriali televiziv për Xhimin që luhet nga Jason Segeli, një psikoterapist në zi që nuk pushon duke ua thënë pacientëve atë që ai me të vërtetë mendon, duket mjaft i padëmshëm në letër. Nga Frasier te In Treatment e deri te Sex Education, nuk ka mungesë dramash televizive për terapeutë të çrregullt. Ajo që e veçon Shrinking nga të tjerat është prania e Harrison Fordit, i cili luan mentorin tetëdhjetëvjeçar të Xhimit. Këtu shohim një superyll të Holivudit që drogohet me ushqime që përmbajnë ekstrakte kanabisi, përballet me dështimet e tij si baba dhe përpiqet të fshehë simptomat e Parkinsonit. Edhe pse Segeli ka rolin kryesor bashkë me Fordin, ky i fundit është atraksioni kryesor dhe ka të gjitha frazat më të mira.
1923 e Paramount-it, pararendësja e Yellowstone-i nga Taylor Sheridan, gjithashtu shfrytëzon statusin e Fordit si figurë e rëndësishme, duke treguar përpjekjet e një familjeje blegtorësh për të ruajtur pasurinë dhe statusin gjatë Depresionit të Madh. Partnerja e Fordit është Helen Mirren, një tjetër aktore tetëdhjetëvjeçare që ka luajtur më parë me të në filmin e vitit 1986, The Mosquito Coast. Me ngjarjet që zhvillohen në Montana, 1923 është një dramë me stil që e kthen në art pamjen e ashpër të protagonistëve, së bashku me prirjen e tyre për brutalitet.
Pra, çfarë të themi për të moshuarit e kinemasë që po ushtrojnë zanatin në ekranin e vogël? Në të kaluarën, yjet e Holivudit të Vjetër do të ishin tmerruar nga kalimi në TV. Po ta bëje një gjë të tillë, kjo do të ishte shenjë e qartë se karriera jote është në rënie – ndonëse Barbara Stanwyck dhe Joan Collins e injoruan këtë qëndrim snob në vitet ‘80 të shekullit XX, kur iu bashkuan kastit të The Thorn Birds dhe Dynasty. Collinsi u bë yll edhe më i madh si super-negativja Aleksis Kerington në Dynasty, më shumë sesa kishte qenë si një vajzë e re nën kontratë me produksionin 20th Century Fox duke luajtur në filmat si Land of the Pharaohs dhe The Opposite Sex. Në anën tjetër, paraqitja e turpshme e Charlton Hestonit në serialin pasues të Dynasty-së, The Colbys, pati efektin e kundërt, duke ia vrarë përfundimisht karrierën. Pas kësaj, aktori u përqendrua si mysafir në shfaqjet komike dhe në tubimet e mbështetësve për mbajtje të armëve [NRA].
Peizazhi televiziv i sotëm duket qartësisht ndryshe për yjet e Holivudit që dëshirojnë të zgjerojnë karrierën, duke ofruar më shumë larmi dhe, në përgjithësi, një klasë më të lartë drame sesa dikur. Mendoni për Meryl Streepin, e cila u shfaq në sezonin e dytë të Big Little Lies më 2019 dhe më pas u bashkua me qejf në komedinë e suksesshme të Hulu-s, Only Murders in the Building. Ose Gary Oldmanin – i cili ka interpretuar Drakulën dhe Çërçillin në ekranin e madh – si një agjent i moshuar që ka nevojë për dush në serialin televiziv Slow Horses. Ose Kathy Bates që luan avokaten shtatëdhjetëvjeçare në Matlock, ku nënvlerësohet vazhdimisht për shkak të moshës. Ose Sly Stallone që bën debutimin e tij në TV si mafioz veteran në Tulsa King, një tjetër serial nga Taylor Sheridani. Në fakt, Sheridani, i cili së fundmi ka angazhuar Kevin Costnerin dhe Billy Bob Thorntonin në Yellowstone dhe Landman, duket se është në një mision për të nxjerrë nga pensioni aktorët veteranë.
Pak prej këtyre yjeve të plakur mund të akuzohen se po bien poshtë nivelit në ato që janë kryesisht prodhime me buxhet të lartë, edhe pse e kanë të vështirë të bien në sy në këtë epokë ku ka tepër shumë seriale televizive. Gjithashtu, nuk ka ndonjë ndjesi se po ushqehen me lavditë e së kaluarës. Kur Jeff Bridges, ylli i ekranit të madh në The Fisher King dhe The Big Lebowski u bind të rikthehej në TV për të luajtur një ish-agjent të CIA-s i cili e ka të vështirë të veshë çorapet në mëngjes, e bëri këtë më lehtë për serialin me titull të qartë të FX Networks-it, The Old Man. Në Shrinking, Fordit i kërkohet të përballet haptazi me statusin e tij si i moshuar dhe të portretizojë luftën e personazhit të tij me sëmundjen që po përparon. Krahasojeni këtë me ribërjen e Indiana Xhonsit në vitin 2023, Dial of Destiny, ku, në moshën 80-vjeçare, ai e ripërsërit rolin e heroit aksion me kamxhik dhe plot skena me stërvitje fizike.
Fakti që po shkruhen role të plota për televizion vetëm për të moshuar, ky është një lajm i mirë – padyshim një përmirësim në krahasim me nxjerrjen në pension në moshë të mesme, siç bënte zakonisht Holivudi deri vonë – por, aktualisht janë ende burrat ata që kanë pjesën më të madhe të këtyre roleve. Në aktrim, si dhe në jetë, mosha ka qenë gjithmonë më e pamëshirshme për gratë, një situatë që është satirizuar në mënyrë mjeshtërore në skeçin e Amy Schumerit, Last Fuckable Day, ku tri aktore – Julia Louis-Dreyfus, Tina Fey dhe Patricia Arquette – shënojnë ditën e fundit kur njëra prej tyre konsiderohet “seksualisht tërheqëse” në sytë e industrisë së argëtimit.
Një faktor tjetër që po i shtyn aktorët veteranë të kërkojnë punë në televizion është se industria e filmit ende po ndien goditjen financiare nga koronavirusi dhe nga grevat e skenaristëve dhe aktorëve në vitin 2023. Buxhetet mbeten të ngushta dhe sukseset e mëdha janë gjithnjë e më të rralla – vitin e kaluar, Snow White, Mickey 17, Christy, After the Hunt dhe filmi i Dwayne Johnsonit, The Smashing Machine, dështuan tërësisht në të hyra. Ndërkohë, shikuesit kanë mundësinë të presin që filmat e mëdhenj të shfaqen në platformat në internet – ndonjëherë vetëm disa ditë pas premierës në kinema.
Nuk është çudi, pra, që aktorët më të moshuar duan të përfshihen në TV, ku mund të shihen nga ata shikues që nuk duan të shkojnë në kinema, dhe ku mund të kalojnë kohë duke zhvilluar personazhe më kompleksë. Ndërkohë, serialet po përfitojnë në peshë, përvojë dhe cilësi yjesh. Aktualisht ka shumë arsye për të qenë pesimist për industrinë krijuese, por kjo është një epokë e artë për aktorin në prag pensioni për të cilin po afrohen lavdi të reja dhe një akt i tretë në karrierë. /Telegrafi/