Banka shtetërore e Zelandës së Re, Kiwibank, është përfshirë në një debat për lirinë e shprehjes, pasi tentoi të hiqte nga rrjetet sociale disa meme me përmbajtje “eksplicite” që lidhen me maskotën e saj, një dele të quajtur Buck.
Banka e prezantoi këtë personazh në fillim të vitit, si pjesë të një fushate reklamuese që u bënte thirrje konsumatorëve të zgjidhnin një bankë vendase, transmeton Telegrafi.
Por delja me lesh të gjelbër tërhoqi shpejt vëmendjen e përdoruesve të internetit, të cilët nisën të publikonin meme virale në platformën X, duke bërë komente për pamjen tërheqëse të Buck-ut dhe duke iu referuar me humor stereotipeve për banorët e Zelandës së Re.
Në përgjigje, Kiwibank dërgoi kërkesa për heqjen e disa publikimeve, duke u mbështetur në të drejtat e autorit. Imazhi i maskotës u hoq nga postimet e kontestuara, ndërsa në vend të tij mbeti vetëm njoftimi se përmbajtja ishte çaktivizuar pas një raportimi nga mbajtësi i të drejtave të autorit.
Megjithatë, kjo ndërhyrje pati efektin e kundërt nga ai që banka mund të kishte synuar. Përdoruesit nisën të publikonin dhjetëra meme të tjera, ndërsa postimi fillestar ka grumbulluar më shumë se katër milionë shikime.
“Po sikur të themi të gjithë se delja e Kiwibank-ut është seksi? Nuk mund të na ndalojnë të gjithëve”, shkroi një përdorues në rrjetet sociale.
Disa komentues e përshkruan rastin si një shembull tipik të të ashtuquajturit “efekti Streisand” – fenomeni kur përpjekjet për të fshehur ose censuruar diçka përfundojnë duke tërhequr edhe më shumë vëmendje ndaj saj.
Zëdhënësi i Kiwibank-ut, Ben Mabon, tha se banka kishte ndërhyrë për shkak të përmbajtjeve që i konsideronte eksplicite dhe të dëmshme, të publikuara duke përdorur imazhin e Buck-ut.
“Shqetësimi ynë ishte serioz dhe besonim se ishte e rëndësishme të ndërhynim”, deklaroi Mabon në një përgjigje për agjencinë AFP.
Ai pranoi se reagimi i bankës ishte bërë vetë pjesë e debatit, por shtoi se kompania kishte vlerësuar se mosveprimi nuk do të ishte zgjidhja e duhur, për shkak të përmbajtjeve që i konsideronte të dëmshme.
Ndërkohë, Unioni i Lirisë së Shprehjes në Zelandën e Re i dërgoi bankës një letër të hapur, duke e akuzuar për censurë dhe keqpërdorim të të drejtave të autorit.
“Të drejtat e autorit mbrojnë veprat krijuese nga kopjimi. Ato nuk e mbrojnë një markë nga talljet, edhe kur njerëzit e pëlqejnë paksa më shumë seç duhet”, thuhej në letër.
“Përdorimi i të drejtave të autorit për të hequr përmbajtje që një kompani nuk e pëlqen është censurë, edhe kur bëhet fjalë për një dele”, theksoi organizata.
Rasti ka nxitur diskutime mbi kufirin mes mbrojtjes së imazhit të një marke dhe lirisë së përdoruesve për ta satirizuar atë në internet.
Zelanda e Re njihet prej kohësh për numrin e madh të deleve në raport me popullsinë. Sipas të dhënave të vitit 2025, në vend kishte rreth 4,5 dele për çdo banor, një raport që e bën këtë kafshë pjesë të njohur të identitetit dhe humorit vendas. /Telegrafi/