Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se këtë mëngjes ka nisur procesi i startimit të njësisë A5 të Termocentralit Kosova A.
Sipas njoftimit të KEK-ut, gjatë kësaj faze mund të vërehet tym më i theksuar, i cili është pjesë e procesit teknologjik të startimit të njësisë.
Ky fenomen, sipas korporatës, mund të vazhdojë deri në arritjen e parametrave të nevojshëm dhe stabilizimin e njësisë.
KEK-u ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve gjatë zhvillimit të këtij procesi, me theks të veçantë te banorët e Komunës së Obiliqit.
Korporata ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin, ndërsa nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me kohën e nevojshme për përfundimin e procesit të startimit. /Telegrafi/