Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka njoftuar për vdekjen e mjekut anesteziolog, Dr. Ukshin Ismaili, i cili për shumë vjet kontribuoi në shërbimet shëndetësore dhe në organizimin institucional të këtij spitali.
Në një njoftim mortor, menaxhmenti i spitalit ka shprehur pikëllimin për humbjen e bashkëpunëtorit shumëvjeçar, duke vlerësuar kontributin e tij profesional dhe human.
Sipas njoftimit, Ismaili ia kushtoi karrierën profesionale Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, ku shërbeu si anesteziolog dhe ishte pjesë e menaxhmentit.
“Dr. Ukshin Ismaili ishte një nga figurat e rëndësishme të shëndetësisë e në veçanti të asaj të Anamoravës, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në shërbimin shëndetësor dhe atë organizativ institucional të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit”, thuhet në njoftim.
Spitali ka theksuar se Ismaili do të kujtohet për përkushtimin profesional, humanizmin në shërbim të pacientëve dhe bashkëpunimin me kolegët e personelin shëndetësor.
Me këtë rast, menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, në emër të mjekëve, infermierëve dhe gjithë personelit, u ka shprehur ngushëllime familjes Ismaili, miqve, kolegëve dhe të afërmve të të ndjerit.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për Dr. Ukshin Ismailin! U prehtë në paqe!”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/