Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë deklarata të forta për Axios, duke folur për zhvillimet në Iran dhe marrëdhëniet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Sipas tij, gjatë ceremonive të varrimit të Ali Khameneit, “të gjithë udhëheqësit iranianë janë aty”, dhe SHBA-të mund t’i godasin me një sulm, por ai tha se nuk do ta bëjnë këtë, sepse “atëherë nuk do të kenë me kë të negociojnë”.
Trump deklaroi se situata aktuale i jep SHBA-së një mundësi ushtarake, por një veprim i tillë do të prishte çdo kanal negociimi me Iranin.
Ai gjithashtu tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërkuar një takim me të në Shtëpinë e Bardhë, i cili mund të zhvillohet javën e ardhshme pas kthimit të tij nga Samiti i NATO-s.
“Po shkojmë shumë mirë. Ju e dini kush është shefi. Dhe ai e di kush është shefi”, tha Trump për Axios, duke iu referuar marrëdhënies së tij me Netanyahun.
Një zyrtar izraelit tha se data ende nuk është finalizuar dhe takimi mund të shtyhet për shkak të agjendës.
Nëse zhvillohet, do të jetë takimi i parë që nga shkurti, kur Netanyahu i paraqiti Trumpit një plan për Iranin në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas burimeve, në muajt e fundit ka pasur edhe tensione dhe dallime mes SHBA-së dhe Izraelit për mënyrën si duhet trajtuar Irani dhe lufta në rajon. /Telegrafi/
