Shumë lodra nuk janë të mira për fëmijët, sepse i shpërqendrojnë dhe i pengojnë të përfshihen vërtet në lojë. Një “eksperiment” i vogël tregoi se fëmijët kalojnë më mirë kur kanë më pak lodra
Lodra kudo, ndërsa fëmija thotë se po mërzitet? Ndoshta problemi nuk është se ka pak lodra, por se ka tepër.
Lodra, lodra gjithandej. Ankthi i shumë prindërve, sidomos nëse nuk jetoni në një shtëpi me bodrum. Me fëmijët vijnë shumë gjëra. Shumë. E kur kësaj i shtohen kuzhinat lodër, setet Lego, shtëpitë e Barbieve, makinat, pistat që ndriçojnë, kamionët zjarrfikës, kubet dhe trenat – hapësira, sipërfaqet e lira dhe durimi zhduken shpejt.
Dhe më e çuditshmja? Hulumtimet tregojnë se fëmijët në fakt luajnë më shumë dhe me cilësi më të mirë kur kanë – më pak lodra.
Më pak lodra = më shumë lojë
Para rreth njëzet vitesh, në Gjermani u nis projekti “Der Spielzeugfreie Kindergarten” (kopshti pa lodra). Në kopshtet e përfshira në projekt, të gjitha lodrat u hoqën për tre muaj. Qëllimi nuk ishte “privimi”, por krijimi i hapësirës dhe kohës ku fëmijët vetë të gjenin mënyra për ta mbushur ditën, pa udhëzime të të rriturve dhe pa lodra të paracaktuara.
Fokusi ishte te vetëbesimi, imagjinata, kreativiteti, zgjidhja e problemeve dhe aftësitë sociale. Ditët e para fëmijët ishin të hutuar dhe paksa të mërzitur. Por shumë shpejt filluan të përdornin atë që kishin: karrige, batanije, këpucë. Ndërtuan strehëza, vrapuan, qeshën, organizuan lojëra.
Në fund të projektit, ata luanin më me imagjinatë, përqendroheshin më gjatë dhe komunikonin më mirë me njëri-tjetrin, transmeton Telegrafi.
Shumë lodra – shumë shpërqendrim
Profesoresha e psikologjisë së edukimit nga Oksfordi, Kathy Sylva, pas një studimi me më shumë se 3.000 fëmijë, arriti në përfundimin se numri i madh i lodrave shpesh vepron si shpërqendrues. Kur fëmijët janë të shpërqendruar, as loja dhe as mësimi nuk janë cilësorë.
Interesant është edhe fakti se fëmijët me më pak lodra, por me prindër që lexojnë, këndojnë dhe luajnë më shumë me ta, shpesh arrijnë rezultate më të mira sesa fëmijët nga familje më të pasura materialisht.
Psikologu pediatrik Dr. John Richer shpjegon se fëmija me një lodër të re kalon dy faza: eksplorimin (“Çfarë bën kjo lodër?”) dhe lojën (“Çfarë mund të bëj unë me këtë lodër?”). Pikërisht në fazën e dytë zhvillohen imagjinata, kreativiteti dhe iniciativa.
Problemi lind kur lodrat janë shumë, fëmija vazhdimisht eksploron diçka të re, por rrallë futet në lojë të thellë dhe imagjinative.
Kutia e kartonit është ndonjëherë lodra më e mirë
Sigurisht, është e vështirë të jesh “minimalist”, sidomos kur fëmijët fillojnë të kërkojnë lodra që i kanë shokët ose që i shohin në reklama. Janë edhe gjyshërit dhe të afërmit që duan ta gëzojnë fëmijën me qëllimin më të mirë.
Por sa lodra nga ditëlindjet apo festat, pas entuziazmit fillestar, mbeten pa u përdorur? Dhe sa herë ka ndodhur që një kuti kartoni të shkaktojë më shumë gëzim sesa vetë dhurata?
Sepse kutitë janë mrekulli: mund të bëhen anije pirate, raketë kozmike, kafene, shtëpizë… kufij nuk ka. E njëjta vlen edhe për jastëkët e divanit – kështjella, strehëza, rrëshqitëse, kulla, pista – orë të tëra loje pa asnjë “lodër të vërtetë”. /Telegrafi/