Një nga enigmat më të mëdha të ekonomisë globale mbetet fakti pse tregu i naftës ka qëndruar kaq i qetë, pavarësisht një prej ndërprerjeve më serioze të furnizimit në histori.
Ngushtica e Hormuzit është paralizuar prej tre muajsh lufte — një skenar “i zi” që pak kush e kishte konsideruar të mundshëm para konfliktit me Iranin.
Megjithatë, trafiku i dukshëm përmes kësaj ngushtice mbetet i rrallë dhe vlerësohet të jetë vetëm rreth 15 për qind e niveleve para luftës, sipas të dhënave të JPMorgan.
Pavarësisht kësaj tkurrjeje të madhe, çmimet e naftës deri tani nuk kanë arritur nivelet alarmuese që shumë analistë i kishin parashikuar me shqetësim, shkruan CNN.
“Rrjedhje” të fshehta të naftës
Një nga teoritë është se një sasi shumë më e madhe e naftës së papërpunuar po kalon përmes bllokadës së dyfishtë në Ngushticën e Hormuzit sesa mendohej fillimisht, duke ndihmuar kështu sistemin global energjetik të përballojë këtë goditje historike.
Ekspertët i kanë deklaruar CNN-it se anijet cisternë që transportojnë këto të ashtuquajtura “rrjedha të fshehta” mund të jenë duke anashkaluar bllokadën duke fikur transponderët e tyre, në mënyrë që të mos zbulohen.
Sipas vlerësimeve të JPMorgan, gjatë dy javëve të fundit të majit, këto rrjedha të fshehta kanë arritur në rreth 2.1 milionë fuçi naftë në ditë, transmeton Telegrafi.
Kjo përbën një pjesë të vogël, por të rëndësishme, të 15.6 milionë fuçive naftë që para shpërthimit të luftës kalonin çdo ditë përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Duket se, pavarësisht bllokadës detare dhe rënies drastike të trafikut tregtar, përmes ngushticës vazhdon të kalojë një sasi çuditërisht e madhe e naftës së papërpunuar dhe derivateve të saj”, shkroi javën e kaluar në një raport për klientët Natasha Kaneva, drejtuese e strategjisë globale të mallrave në JPMorgan.
Sipas saj, këto flukse të fshehta të naftës mund të jenë një nga arsyet kryesore pse tregjet energjetike globale kanë arritur të shmangin deri tani një krizë më të thellë të furnizimit.
“Lundrime fantazmë”
Bob McNally, themelues dhe president i kompanisë Rapidan Energy Group, i tha CNN-it se pajtohet me vlerësimin se rrjedhat e fshehta të naftës mund ta kenë shtyrë ose zbutur pjesërisht krizën.
“Ne nisemi nga supozimi se trafiku përmes Ngushticës së Hormuzit ka rënë në vetëm 0 deri në 10 për qind të nivelit para luftës. Megjithatë, për shkak të kësaj ‘rrjedhjeje’, shifra reale mund të jetë disi më e lartë”, tha McNally.
Ai theksoi se këto sasi shtesë nuk janë të mjaftueshme për të shmangur shterimin e konsiderueshëm të rezervave globale të naftës, por megjithatë ndihmojnë në uljen e presionit mbi tregjet.
“Kjo nuk mjafton për të shmangur një tërheqje të madhe të rezervave, por sigurisht që e lehtëson disi situatën”, shtoi ai.
Jan Stuart, ekonomist global i energjisë dhe strateg në bankën investuese Piper Sandler, vlerëson se në maj nga Ngushtica e Hormuzit kanë dalë rreth 2.9 milionë fuçi naftë e papërpunuar në ditë.
Ky vlerësim përfshin rreth 2.1 milionë fuçi në anije që duket se kanë paguar tarifa ndaj subjekteve iraniane.
Pjesa tjetër, rreth 900 mijë fuçi, i referohet “lundrimeve fantazmë”, pra anijeve që kanë kaluar nëpër rrugën detare në errësirë, me transponderët e fikur.
“Këto dërgesa ‘fantazmë’ ose të fshehta po ndihmojnë”, tha Stuart dhe shtoi se “Kriza është zbutur shumë më mirë sesa mendoja se ishte e mundur”.
Edhe faktorë të tjerë po i mbajnë çmimet nën kontroll
Kontratat e ardhshme për naftën Brent, e cila shërben si standard ndërkombëtar, të premten ranë në 93 dollarë për fuçi. Kjo është dukshëm mbi nivelin para luftës prej rreth 70 dollarësh, por edhe ndjeshëm nën kulmin e fundit prej 114 dollarësh.
Megjithatë, rrjedhat e fshehta nuk janë arsyeja kryesore e qetësisë në treg. Piper Sandler vlerëson se rreth 4.5 milionë fuçi naftë e papërpunuar në ditë kanë dalë nga Gjiri Persik përmes rrugëve të tjera, kryesisht përmes naftësjellësit Lindje–Perëndim që lidh fushat naftëmbajtëse saudite me portin Yanbu në Detin e Kuq.
Edhe më e rëndësishme është se Kina ka ulur ndjeshëm importet e naftës së papërpunuar dhe është kthyer te rezervat e saj të mëdha. Kërkesa më e ulët nga Kina, një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë në botë, ka ndihmuar në zbutjen e krizës së furnizimit.
Kaneva nga JPMorgan thotë se faktorë të tjerë përfshijnë edhe një rënie më të madhe të kërkesës sesa pritej, si dhe rezerva më të mëdha nga sa janë raportuar.
“Të gjitha këto përshtatje së bashku ndihmojnë të shpjegojnë pse çmimet pranë 100 dollarëve nuk do të thonë se ndërprerja është e vogël”, ka shkruar Kaneva dhe shtoi se “përkundrazi, ato tregojnë se tregu ka gjetur mënyra — edhe pse të kushtueshme — për ta absorbuar atë”.
“Gjërat do të përkeqësohen”
Disa veteranë të industrisë së naftës shprehin shqetësimin se tregu, i qetësuar nga këto zgjidhje të përkohshme, mund të jetë duke e nënvlerësuar ndikimin real të krizës.
Rezervat komerciale të naftës kanë rënë ndjeshëm që nga fillimi i luftës, ndërsa rezervat strategjike të naftës së papërpunuar në SHBA po afrohen shpejt drejt niveleve më të ulëta që nga fillimi i viteve 1980.
“Gjërat do të përkeqësohen”, tha Jan Stuart nga Piper Sandler, duke paralajmëruar një presion të ri mbi tregjet energjetike.
Sipas tij, çmimi mesatar i naftës Brent gjatë muajve korrik dhe gusht mund të arrijë deri në 130 dollarë për fuçi, nëse kushtet aktuale të furnizimit vazhdojnë të përkeqësohen.
Nëse ky parashikim rezulton i saktë, atëherë çmimet e karburantit në SHBA këtë verë mund të rriten ndjeshëm, duke kaluar mbi 5 dollarë për gallon, krahasuar me rreth 4.20 dollarë sa janë aktualisht.
Sipas Jan Stuart nga Piper Sandler, çmimet e naftës do të duhet të rriten shpejt për të nxitur lirimin e mëtejshëm të rezervave emergjente dhe për të detyruar një ulje të konsumit global.
“Duhet t’i bindësh njerëzit. Dhe kjo është shumë më e lehtë kur çmimet janë të larta”, tha ai, duke nënkuptuar se vetëm përmes presionit të çmimeve mund të stabilizohet kërkesa në tregun e energjisë.
Ndërkohë, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë rënë drejt nivelit të 90 dollarëve për fuçi, pasi investitorët janë inkurajuar nga armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit, si dhe nga sinjalet e Uashingtonit për rritje të furnizimeve me energji përmes Ngushticës së Hormuzit.
Në tregun e Londrës, pasdite nafta u tregtua rreth katër dollarë më lirë se mbyllja e një dite më parë, duke arritur në 90,20 dollarë për fuçi. Ndërsa në tregun amerikan, çmimi ra me 4,54 dollarë, në 86,76 dollarë për fuçi. /Telegrafi/
