Shoqëria civile në Kosovë nuk është duke u zhdukur, por është duke kaluar në një fazë të re ripozicionimi.
Kështu u shpreh aktivisti i shoqërisë civile, Taulant Hoxha, në “Përballje Podcast”.
Sipas tij, perceptimi se sektori civil është në rënie duhet parë në kontekst më të gjerë shoqëror, pasi edhe vetë shoqëria civile është reflektim i realitetit në të cilin vepron.
“Ne jemi produkt i kësaj shoqërie. Nuk mund të jemi imun si sektor, nuk jemi engjëj. Secili prej atyre që flasin në emër të shoqërisë civile është pjesë e kësaj shoqërie, me të mirat dhe të këqijat e saj”, deklaroi Hoxha shkruan Telegrafi.
Ai theksoi se, sikurse në çdo sektor tjetër, edhe në shoqërinë civile më shumë vëmendje mediale marrin ata që bëhen pjesë e politikave dhe agjendave ditore, ndërsa puna sistematike dhe konsistente shpesh mbetet në hije.
“Sikurse në çdo sektor tjetër, edhe në shoqërinë civile më shumë vëmendje mediale marrin ata që bëhen pjesë e politikave dhe agjendave ditore. Ndërsa ata që bëjnë punë sistematike, konsistente, që nuk prodhon skandale dhe nuk i shërben goditjes apo favorizimit të dikujt, shpesh mbeten në hije”, u shpreh ai.
Hoxha vlerëson se debati për “krizën” e shoqërisë civile duhet të zhvendoset nga narrativa e zhdukjes drejt asaj të transformimit.
“Është një çështje komplekse. E rëndësishme është që shoqëria civile nuk është duke vdekur në Kosovë. Ajo është duke u ripozicionuar”, theksoi ai.
Sipas tij, një nga zhvillimet më domethënëse të viteve të fundit është rritja e nismave që vijnë nga vetë komunitetet.
“Për herë të parë, këto tri-katër vitet e fundit, që nga vitet ’90 para luftës, po shohim gjithnjë e më shumë – edhe pse jo mjaftueshëm – nisma nga poshtë-lart. Nisma që nuk dirigjohen nga donatorët dhe nuk dirigjohen nga organizatat e mëdha, por janë burimore dhe vijnë nga vetë baza, nga komuniteti që ka një problem të caktuar dhe dëshiron ta shtyjë përpara zgjidhjen e tij”, deklaroi Hoxha.
Sipas tij, kjo lëvizje drejt iniciativave komunitare tregon se hapësira e shoqërisë civile nuk mbetet bosh, por mbushet sa herë që qytetarët organizohen për çështje konkrete që i prekin drejtpërdrejt.
Në këtë kuptim, ai thekson se e ardhmja e shoqërisë civile nuk lidhet vetëm me financimin apo me strukturat formale, por me aftësinë për të ruajtur lidhjen organike me qytetarin dhe komunitetin. /Telegrafi/