Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, mori pjesë në Konferencën e Tretë të Nivelit të Lartë të Drejtorëve të Përgjithshëm të Doganave të Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, e organizuar në Athinë, me temën “Lidhja e tregjeve dhe harmonizimi i standardeve: Korsitë e Gjelbra si shtyllë e integrimit të avancuar në Tregun Unik të Bashkimit Evropian”.
Në kuadër të konferencës, Llugaliu ishte panelist në sesionin kushtuar Korsive të Gjelbra, interoperabilitetit ndërmjet vendeve të CEFTA-s, Partneriteteve me Tregtarët e Besuar (AEO) dhe menaxhimit të riskut në funksion të lehtësimit të tregtisë. Gjatë diskutimit, ai theksoi se bashkëpunimi doganor në rajon tashmë ka kaluar nga niveli i harmonizimit rregullativ në zbatim konkret operacional, duke reflektuar praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Evropian.
Drejtori i Doganës vlerësoi se integrimet e deritanishme rajonale kanë sjellë rezultate të prekshme në përshpejtimin e lëvizjes së mallrave, reduktimin e kohës së pritjes në kufi dhe rritjen e efikasitetit të procedurave doganore. Ai theksoi se për të mbështetur më tej agjendën e integrimit evropian dhe lehtësimin e tregtisë, digjitalizimi duhet të shoqërohet me investime të vazhdueshme në infrastrukturën fizike dhe me integrimin e korridoreve tregtare me programet e AEO-s, të cilat i cilësoi si një “pasaportë ekonomike” për bizneset.
Në adresimin e tij, drejtori Llugaliu nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të shkëmbimit elektronik të të dhënave nga sistemi SEED në SEED+, përfshirjen e autoriteteve të tjera përgjegjëse për kontrollin e tregtisë së jashtme, si dhe sinkronizimin e plotë të këtyre mekanizmave me programet e Tregtarëve të Besuar.
Po ashtu, ai trajtoi nevojën për anëtarësimin e Kosovës në Konventën e Tranzitit të Përbashkët (NCTS), duke theksuar se bëhet fjalë për një proces tërësisht teknik dhe jopolitik, i cili do të eliminonte barrierat e panevojshme administrative, do të shmangte fragmentimin rajonal dhe do të lehtësonte shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Llugaliu ritheksoi përkushtimin e Doganës së Kosovës për të mbetur një partner aktiv, i besueshëm dhe konstruktiv në proceset rajonale dhe evropiane, duke kontribuar në modernizimin e procedurave doganore dhe në krijimin e kushteve më të favorshme për komunitetin e biznesit.
Ai gjithashtu vuri në pah reformat e rëndësishme të ndërmarra nga Dogana e Kosovës në vitet e fundit, përfshirë fillimin e procedurave të zhdoganimit në Portin e Durrësit nga viti 2022, shtetëzimin e terminaleve doganore dhe zbatimin e sistemit të deklarimit para-mbërritjes. Këto masa kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e kostove operative, kursimin e kohës për bizneset dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë.
Konferenca mblodhi drejtues të administratave doganore nga rajoni dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përfaqësues të institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare, me fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e proceseve të integrimit ekonomik drejt Tregut Unik Evropian.
