Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se po vazhdon realizimi i projektit për ndërtimin e rrugëve përgjatë brezit kufitar në Komunën e Kamenicës, me investim të përgjithshëm prej rreth 4.8 milionë eurosh.
Përmes një postimi në Facebook, Basha ka njoftuar se projekti po realizohet në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe Komunës së Kamenicës, ndërsa është ndarë në tri lote.
“Në total bëhet fjalë për 15.04 kilometra rrugë, me vlerë të përgjithshme prej rreth 4.8 milionë euro”, ka shkruar Basha.
Ai ka bërë të ditur se Loti 3, në segmentin Shahiq–Sfircë, përfshin 6.86 kilometra rrugë, me investim prej mbi 2.1 milionë eurosh.
Sipas ministrit, projekti synon të përmirësojë lidhjen ndërmjet fshatrave dhe qarkullimin e banorëve, si dhe të lehtësojë qasjen dhe mobilitetin institucional në zonën kufitare.
Basha ka theksuar se ky investim ka rëndësi edhe për sigurinë e territorit të Kosovës.
“Investimi në brezin kufitar është investim në zhvillim, prani institucionale dhe siguri të vendit”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/