Si do të ndikojë Inteligjenca Artificiale në profesionet e së ardhmes dhe cilat aftësi do të kërkohen më shumë nga punëdhënësit evropianë? Këto ishin disa nga çështjet kryesore të diskutuara në Masterclass-in “Future Skills 2030: Çfarë do të kërkojnë punëdhënësit në Evropë – Përgatitja e të rinjve për të ardhmen e punës”, organizuar nga WeBalkans në bashkëpunim me Fakultetin e Matematikës dhe Shkencave të Natyrës (FSHMN) të Universitetit të Prishtinës.
Aktiviteti mblodhi studentë, përfaqësues të akademisë dhe profesionistë për të diskutuar ndryshimet në tregun e punës dhe rëndësinë e kombinimit të aftësive digjitale, njohurive profesionale dhe aftësive njerëzore në përgatitjen për vitin 2030.
Ilir Kiqmari foli për ndikimin e Inteligjencës Artificiale në profesionet e së ardhmes, duke theksuar se automatizimi i detyrave rutinore do ta bëjë edhe më të rëndësishëm rolin e njeriut në vendimmarrje, mbikëqyrje dhe përgjegjësi.
Ndër fushat me rëndësi në vitet e ardhshme, ai veçoi profesionet teknike, energjinë, infrastrukturën, shëndetësinë, sigurinë e AI-së, drejtësinë dhe arsimin.
Ndërkaq, Drita Prenaj, trajnere për Inteligjencë Emocionale dhe Aftësi të Buta, theksoi rëndësinë e vetëdijes emocionale dhe menaxhimit të emocioneve në jetën profesionale.
Ajo nënvizoi se aftësia për të kuptuar veten dhe të tjerët ndihmon në parandalimin e konflikteve dhe në ndërtimin e marrëdhënieve më të shëndetshme në vendin e punës.
Desantila Muriqi, përfaqësuese e rrjetit Young European Ambassadors, inkurajoi të rinjtë të shfrytëzojnë mundësitë evropiane për të fituar përvojë praktike, për të zhvilluar aftësi të reja dhe për të krijuar kontakte profesionale.
Gjatë diskutimit u prezantuan programe si Erasmus+, Erasmus Mundus, Young Cell Scheme, Horizon Europe, Marie Skłodowska-Curie Actions, European Solidarity Corps dhe iniciativa të tjera që mbështesin arsimimin, hulumtimin, ndërmarrësinë dhe mobilitetin e të rinjve.
Moderatori Fatbardh Kabashi theksoi se përgatitja për të ardhmen nuk nënkupton vetëm njohuri teknike, por edhe mendim kritik, kreativitet, kureshtje dhe aftësi për të bashkëpunuar në një botë gjithnjë e më të ndikuar nga teknologjia.
I organizuar në kuadër të iniciativës EU With YOU (BE për TY), aktiviteti synoi të afrojë të rinjtë në Kosovë me mundësitë evropiane për zhvillim personal dhe profesional.
Mesazhi kryesor ishte se të rinjtë duhet të investojnë vazhdimisht në aftësitë e tyre, të kërkojnë përvoja të reja dhe të shfrytëzojnë mundësitë në dispozicion për t’u përgatitur për kërkesat e tregut evropian të punës deri në vitin 2030. /Telegrafi/