Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka deklaruar se humbja 3:2 ndaj Celjes në Prishtinë mund të jetë e kthyeshme dhe se ekipi është i gatshëm për ndeshjen e kthimit të enjten nga ora 18:45 në fazën e plejofit të Ligës së Konferencës.
“Takimi i dytë është edhe më i lehtë edhe më i vështirë. Në ndeshjen e parë kemi humbur disa mundësi sulmuese, por tani kemi punuar në analiza më të hollësishme për lojtarët. Futbollistët janë gati, të motivuar dhe mezi presin ndeshjen. Duhet të jemi mendjeprerë dhe të mos lejojmë hapësira që kundërshtari të ndëshkojë,” tha Ramadani.
Ai shtoi se Drita gjithmonë luan për të shënuar, pavarësisht kundërshtarit. “Loja bëhet për të shënuar, mund të jetë goli i fitores, i barazimit, por mund të mos ketë vlerë. Pjesa e dytë e ndeshjes së parë ka qenë me guxim, pjesa e parë më shumë taktike. Duhet të jemi të guximshëm dhe të mbajmë ekipin kundërshtar larg portës,” tha ai.
Ramadani gjithashtu bëri thirrje për tifozët shqiptarë që do të jenë në stadium: “Do të shohin 11 gladiatorë, jo manekenë. Do ta japim më të mirën për ta.”
Trajneri e ka marrë shembull Bodo/Glimtin, që eliminoi Interin në Ligën e Kampionëve, për të treguar se edhe skuadrat e vogla mund të arrijnë rezultate historike. “Ne jemi një skuadër e vogël, por mbështetemi te grupi luftarak dhe bashkimi i skuadrës. Edhe pse jemi në disavantazh, do të japim maksimumin për të arritur synimin,” deklaroi ai.
Ramadani tha se nuk ka stërvitur penalltitë, duke u mbështetur te përvoja e lojtarëve si Faton Maloku, dhe se çdo vendim nëse ndeshja shkon te penalltitë do të bëhet me guxim.
Në dyshim për të luajtur mbetet qendërmbrojtësi Jorgo Pëllumbi, për shkak të një shqetësimi në këmbë. /Telegrafi/