Organizata ndërkombëtare e matjes së opinionit publik “Gallup International” ka publikuar gjetjet më të fundit lidhur me perceptimin global ndaj figurave kryesore politike botërore, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin.
Sipas raportit të Gallup, Kosova renditet në mesin e pesë shteteve me opinionin më pozitiv ndaj presidentit amerikan Donald Trump, shkruan Telegrafi.
Foto: gallup-international.com
Azerbajxhani kryeson listën me 40 për qind vlerësim pozitiv, i ndjekur nga Kenia me 34 për qind, Gjeorgjia me 32 për qind, Siria me 31 për qind dhe Kosova me 27 për qind.
Të dhënat tregojnë se në nivel global, vlerësimi pozitiv për Trump arrin rreth 31 për qind, ndërsa përqindja e vlerësimit negativ shkon në 61 për qind, duke reflektuar polarizimin e opinionit publik ndaj tij në shkallë botërore.
Në anën tjetër, për presidentin rus Vladimir Putin, Serbia rezulton shteti me përqindjen më të lartë të vlerësimit pozitiv, e pasuar nga India, Azerbajxhani, Pakistani dhe Malajzia.
Foto: gallup-international.com
Në nivel global, raporti tregon se vlerësimi negativ ndaj Putinit mbetet dominues, me 66 për qind opinion të pafavorshëm, ndërsa 25 për qind shprehen me opinion pozitiv.
Raporti i Gallup përfshin matje të opinionit publik në dhjetëra vende të botës dhe paraqet trendet globale të perceptimit ndaj liderëve politikë, duke reflektuar dallimet rajonale në qëndrimet politike dhe gjeopolitike. /Telegrafi/