Nga: Saul Godoy Gómez
Përktheu: Bajram Karabolli[1]
Nuk dua që të ikësh nga kjo botë pa të dhënë lamtumirën, sepse një numri të madh njerëzish u ke bërë një të keqe të pamasë, ke shkatërruar kushedi sa familje, ke detyruar turma të tëra bashkatdhetarësh të braktisin atdheun, ke zhytur në zi një numër të pallogaritshëm vatrash, ata që ti i quaje armiqtë e tu i përndoqe pa mëshirë, i mbylle nëpër qelira që nuk i meritojnë as shtazët, i poshtërove e i talle, jo vetëm se të dukej vetja tepër i fuqishëm, por edhe i pavdekshëm … por, edhe për të të kujtuar se fundi nuk ishte me ty.
Por, ja ku erdhi edhe radha jote, shprehjes “cikli vital” të kontratës tënde i mbërriti fundi, ky “cikël” yti po shuhet pak nga pak, dhe jo në mënyrë të mirë; ka gjasa që të vdesësh në një shtrat i rrethuar nga të afërmit e tu të trembur, nga që do të të duhet të japësh llogari në grahmat e tua të fundit, se do të ikësh nga kjo botë tepër i frikësuar dhe nuk do të arrish ta largosh sadopak panikun që të ka mbërthyer shpirtin, në çastin kur gjithçka merr fund.
Do vdesësh i sëmurë, duke vuajtur nga efektet e tmerrshme dytësore të kurave që gjoja do të të zgjatin jetën; organet e tua do shuhen një nga një, aftësitë e tua do e humbasin shkëlqimin që i karakterizonte, lëngjet dhe aromat e tua do grumbullohen në qeska plastike me atë duhmën e vdekjes, aq e neveritshme për ty.
Në ato momente, para se të të bëjnë një injeksion për të të qetësuar sadopak dhimbjet e padurueshme, a do ta kesh kurajën të thuash se nuk pendohesh për asgjë? Për udhëtimet nëpër botë, për pallatet e mrekullueshme ku të prisnin dhe paradat ushtarake për nderin tënd, për limuzinat dhe titujt honorifikë, për luksin e hoteleve me pesë yje dhe darkat madhështore të Shtetit … Kur të vjellësh qullin e kungullit që do të të japin me zor infermieret, për të të ringjallur, a thua do të pendohesh që nuk e kishe menduar këtë fund?
A do ta dëgjosh dot popullin tënd, atëherë? … Atëherë, për shkak të imagjinatë tënde, ose nga efektet e morfinës, nuk do të jetosh më në atdheun tënd, do jesh në tjetër botë, shumë larg, mes njerëzish që nuk i njeh … Do të jesh duke vdekur në strehën tënde, midis një bande kopukësh të cilëve je munduar t’u dorëzosh vendin tënd … Çastet e tua të fundit do t’i kalosh midis rrufjanëve dhe gënjeshtarëve, midis lajkatarëve të oborrit tënd, të cilët të shfaqin “dashuri” vetëm sepse u ke dhënë para dhe pushtet. Të gjithë ata që do të të rrethojnë do të të shohin me shqetësim e inat, sepse asnjërit prej tyre, asnjëherë, nuk i dhe mundësinë për të të zëvendësuar, sepse i le me duar bosh. Këtë paske synuar? Ky paska qenë vizioni yt në këtë jetë? I ke bërë keq llogaritë me të varfrit, sepse tani ka më shumë të varfër se ç’kishte kur erdhe në pushtet, e shkele rëndë drejtësinë dhe lirinë.
Kam përshtypjen se tani e ke kuptuar që je gabuar, sepse besove në një përrallë rrugësh, e pandehe veten të pavdekshëm, e bashkove veten me të vdekurit, me heronjtë e tu, me fantazmat e tua, të cilët besove se ishin gjallë. Ecja pas të vdekurve të çoi tek magjia dhe magjistarët, u fute e rrëmove varret për t’iu blatuar një rrethi demonësh e shpirtrash të këqij që tani të shoqërojnë… A e ndien praninë e tyre? A e ndien se si vijnë të të vjedhin, të të grabitin edhe shpirtin, të vetmen gjë me vlerë që ke pasur në jetë, por që aq keq e fute në lojë me errësirën dhe të keqen?
Epo tani, lamtumirë! Dua të të them edhe këtë: Tani do të ngelesh në histori si një tradhtar dhe burracak, sepse nuk u korrigjove kur pate mundësi, por e le veten në dorë të fodullëkut tënd, të idealeve të tua të marra, të ideologjisë tënde të dështuar dhe hoqe dorë nga gjërat më të çmuara, nga liria jote dhe nga liria e të tjerëve, harrove se vetëm liria bën njerëz.
Ëndrra jote funksionon vetëm në dy vende: në qiell, ku nuk nevojitet, dhe në ferr, ku tashmë e kanë.
Zoti të mëshiroftë!
________________________
[1] Më datën 9 gusht 2011 gazeta El Universal në Venezuelë, botoi këtë shkrim, një tip letre e hapur drejtuar diktatorit Hugo Chávez, i cili ishte duke dhënë shpirt në një spital të Kubës. Gjithsesi, kjo lamtumirë kaq mbresëlënëse, nga njëra anë, i dokëndisi keq, gati i tërboi, ithtarët e diktatorit në fjalë dhe, nga ana tjetër, impresionoi tërë Venezuelën dhe mbarë Amerikën Latine, ku Chávezi përhapi ëndrrat e tij dhe shpërndau petrodollarët e Venezuelës për t’u bërë Komandant i tërë atij kontinenti. Nisur nga fakti që ne shqiptarët i kemi aq për zemër udhëheqësit, aq të ngjashëm me komandantin këmishëkuq venezuelas, mendoj se kjo letër është e vlefshme për lexuesin shqiptar
