Drejtuesit e Amazon MGM Studios dhanë përditësime minimale mbi filmin e ardhshëm të James Bond në CinemaCon, duke deklaruar se filmi do të dalë kur të vijë koha e duhur.
Studioja, e cila kohët e fundit mori kontrollin krijues të serisë së spiunazhit, ka punësuar Denis Villeneuve për të drejtuar episodin e radhës. Duke pasur parasysh suksesin e Villeneuve me filmat “Dune”, ky veprim u vlerësua gjerësisht, ashtu si edhe vendimi për të punësuar krijuesin e “Peaky Blinders”, Steven Knight, për të shkruar skenarin.
Tani Villeneuve dhe producentët Amy Pascal dhe David Heyman përballen me pengesën tjetër të madhe – gjetjen e aktorit të duhur për të veshur smokingun e Bondit.
Drejtuesit e Amazon MGM Studios nuk ngurruan të flisnin se kë duhej të ftonin për t’u bashkuar me Shërbimin Sekret të Madhërisë së Saj, ndërsa prezantuan programin e tyre të filmave të ardhshëm para pronarëve të kinemave të mërkurën në mbrëmje në CinemaCon.
“E di që të gjithë po pyesni veten se kur do të shpallim se kush do ta luajë James Bond-in”, tha Courtenay Valenti, Drejtoreshë e Filmave në Amazon MGM Studios, “Mos u emociononi shumë. Dijeni se po e bëjmë këtë me kujdes dhe respekt të thellë. Është një ëndërr e përjetshme për të gjithë ne t’i sjellim audiencës këtë kapitull të ardhshëm dhe është një përgjegjësi që nuk e marrim lehtë.”
Ajo shtoi: “Ajo që mund t’ju them është kjo: kur kombinoni një nga franshizat më të dashura në histori me një ekip filmash me famë botërore, përfshirë regjisorin brilant Denis Villeneuve, producentët e jashtëzakonshëm Amy Pascal dhe David Heyman, producenten ekzekutive Tanya Lapointe dhe skenaristin Steven Knight, po hidhni themelet për diçka vërtet të denjë për trashëgiminë e Bondit. Ai film po vjen dhe kur të vijë koha e duhur, do të kemi shumë më tepër për të ndarë.”
Spekulimet kanë qenë të shumta, me aktorë që variojnë nga Jacob Elordi te Callum Turner dhe Louis Partridge që përflitet se do të marrin rolin e agjentit 007. Kushdo që e merr rolin do të ketë një detyrë të madhe.
Pesë filmat e Daniel Craig, përfshirë “Skyfall” dhe “Casino Royale”, ishin kulmet komerciale të serialit. Ai u largua zyrtarisht nga seriali pas “No Time to Die”, premiera e të cilit u shfaq në vitin 2021. /Telegrafi/