Edukimi medial në Finlandë konsiderohet si një nga modelet më të suksesshme në Evropë.
Megjithatë, sipas kryetarit të Shoqatës Finlandeze për Edukim Mediatik, Dr. Lauri Palsa, suksesi nuk lidhet me një formulë të vetme, por me një qasje të integruar dhe afatgjatë.
Në një intervistë për Telegrafin, Palsa thekson se në Finlandë ekziston një politikë kombëtare për edukimin mediatik, e cila përfshin jo vetëm sistemin arsimor, por edhe sektorin publik, shoqërinë civile dhe sektorin privat.
– YouTube www.youtube.com
“Ne kemi një politikë kombëtare për shkrim-leximin mediatik. Ajo nuk i drejtohet vetëm sistemit arsimor, por përfshin sektorin publik, shoqërinë civile dhe sektorin privat”, shprehet ai.
Palsa ka mbi 15 vjet përvojë në këtë fushë dhe ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në hartimin e politikave shtetërore për zhvillimin e edukimit mediatik në Finlandë.
Edukimi mediatik si kompetencë ndërkurrikulare
Një nga veçoritë kryesore të modelit finlandez është se edukimi mediatik nuk është lëndë e veçantë, por pjesë e të ashtuquajturave kompetenca ndërkurrikulare.
Kjo nënkupton se çdo mësues, pavarësisht lëndës që ligjëron – qoftë gjuhë, histori apo arte – është përgjegjës për zhvillimin e edukimit mediatik si pjesë e konceptit të “multiliteracisë”.
“Edukimi mediatik nuk është diçka që mësohet me një orë të vetme mësimi, por kërkon kohë dhe perspektiva të ndryshme”, thekson Palsa.
Sipas tij, edukimi mediatik ka qenë pjesë e sistemit arsimor finlandez prej dekadash.
“Që në vitet 1970 flitej për edukimin mbi mediat masive dhe për propagandën. Idetë themelore janë të njëjta edhe sot, por mjedisi mediatik ka ndryshuar rrënjësisht”, shton ai.
Lauri Palsa dhe kryredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.Foto: Ridvan Slivova
Autonomia e mësuesve dhe zhvillimi profesional
Palsa thekson se nuk ekziston një model unik i edukimit mediatik në Finlandë. Shkollat dhe mësuesit gëzojnë autonomi të madhe pedagogjike, çka nënkupton se qasja mund të ndryshojë nga një klasë në tjetrën.
“Nuk ka një model të vetëm. Në një shkollë dhe në një klasë, pedagogjia mund të jetë krejtësisht ndryshe nga një tjetër, sepse mësuesit kanë autonomi të madhe”, shprehet ai
Ai vë theks të veçantë në zhvillimin profesional të mësuesve, duke i konsideruar ata ekspertë të nxënësve të tyre dhe të realitetit mediatik në të cilin jetojnë fëmijët
“Mësuesit janë ekspertë të nxënësve të tyre. Ata e dinë si lidhet media me jetën e tyre dhe mund të gjejnë zgjidhjet e duhura”, thotë Palsa.
Në praktikë, kjo nënkupton analizën e lajmeve, reklamave apo postimeve në rrjete sociale, por edhe shfrytëzimin e situatave konkrete që lindin gjatë diskutimeve në klasë.
Edukimi mediatik nis që në fëmijëri të hershme
Një tjetër element kyç i modelit finlandez është fillimi i hershëm i edukimit mediatik. Ai është pjesë e kurrikulës kombëtare që nga arsimi fillor (nga mosha 7 vjeç), por përfshihet edhe në arsimin parashkollor dhe në edukimin e hershëm.
“Edukimi mediatik fillon shumë herët. Ai është pjesë e kurrikulës kombëtare dhe përfshihet edhe në edukimin e hershëm, që nga çerdhet”, thekson ai.
Në çerdhe dhe kopshte, edukimi mediatik zhvillohet përmes lojës dhe nuk matet me teste, por udhëhiqet nga kurrikula si orientim pedagogjik.
Vizita në Kosovë dhe bashkëpunimi
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Palsa shprehet i impresionuar nga energjia dhe interesi për këtë fushë.
“Jam shumë i impresionuar nga energjia dhe interesi që shoh për edukimin mediatik. Ka shumë të rinj të aftë në aspektin digjital, të interesuar për teknologjitë dhe për rolin e edukimit mediatik në të ardhmen. Ky është një potencial i madh”, shton Palsa.
Sipas tij, edukimi mediatik lidhet ngushtë me strukturat demokratike të shoqërisë.
Ai thekson rëndësinë e lirisë së shprehjes, lirisë së medias, cilësisë së arsimit dhe besimit në institucione si kushte thelbësore për një kulturë të shëndoshë mediatike.
“Qytetarët me shkrim-lexim mediatik e kuptojnë rolin e medias së lirë në një shoqëri demokratike dhe kanë aftësinë për të marrë pjesë aktive në të”, thekson ai.
Sa i përket mundësisë për aplikimin e modelit finlandez në Kosovë, Palsa shprehet se nuk beson në “kopjim mekanik” të një modeli nga një vend në tjetrin.
“Nuk mendoj se ekziston një model që mund të kopjohet dhe të ngjitet në një kontekst tjetër. Do të ishte më e vlefshme të mendojmë çfarë mund të mësojë Finlanda nga Kosova”, thekson ai.
Sipas tij, mjedisi mediatik është në ndryshim të vazhdueshëm dhe kërkon zgjidhje të reja e fleksibile.
“Mjedisi mediatik po ndryshon vazhdimisht. Ne duhet të bashkëpunojmë, të ndajmë përvoja dhe të zhvillojmë zgjidhje të reja për të ardhmen”, përfundon Palsa. /Telegrafi/.