Rrjeti social TikTok ka “çmendur” të rinjtë në mbarë botën, ndërsa tani kompania që qëndron pas këtij fenomeni global po hyn në industrinë e automobilave.
Dhe ku tjetër? Një veturë e re elektrike e lidhur me pronarin e TikTok-ut, kompaninë ByteDance, pritet të lançohet në Kinë këtë vit.
Vetura do të prodhohet në bashkëpunim me prodhuesin Seres, i cili po zhvillon një markë krejtësisht të re automjetesh së bashku me platformën e inteligjencës artificiale të ByteDance, “Volcano Engine”.
Pritet që modeli i parë të jetë një crossover, një përzierje mes SUV-it dhe sedanit.
Prodhimi do të realizohet në fabrikën e Seres në Chongqing. Ideja është që teknologjia e ByteDance të jetë në qendër të projektit.
Platforma e inteligjencës artificiale e kompanisë do të funksionojë si “truri digjital” i veturës dhe do t’i ofrojë shoferit qasje në komandim të avancuar me zë, personalizim të cilësimeve dhe funksione të tjera të AI-së drejtpërdrejt në kabinë.
Për realizimin e kësaj nisme është krijuar një kompani e re me emrin Saidou.
Pritet që modeli i parë të prezantohet para fundit të vitit dhe të ketë një version elektrik si dhe një version me zgjatues autonomie (range extender). Bota po e pret me padurim atë që tashmë po quhet “makina e TikTok-ut”. /Telegrafi/
