Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, vizituan në Spitalin Rajonal të Lezhës tre të rinjtë kosovarë që po marrin trajtim mjekësor pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Gjatë vizitës, ambasadori u interesua nga afër për gjendjen shëndetësore të të rinjve dhe mori informacion nga stafi mjekësor lidhur me ecurinë e trajtimit të tyre.
Sipas ambasadorit Durmishi, gjendja e tre të rinjve është e stabilizuar dhe ata vijojnë të jenë nën kujdesin e vazhdueshëm të bluzave të bardha në urgjencën e Lezhës.
“Gjendja e tyre ishte shumë e mirë. Fati i tyre. Ngjarje shumë tronditëse, por ne jemi këtu të bëjmë atë nqë duhet bërë, për të informuar familjarët e dy viktimave”, u shpreh Ambasadori.
Ai falënderoi ekipet mjekësore dhe strukturat vendore për reagimin e shpejtë dhe ndihmën e ofruar, ndërsa shprehu solidaritetin me familjet e personave të përfshirë në këtë ngjarje tragjike.
Mjekët bëjnë me dije se të rinjtë po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme dhe, deri tani, parametrat e tyre shëndetësorë paraqiten të qëndrueshëm.
