Skena kaotike u panë gjatë një miqësoreje që Lionel Messi zhvilloi me Inter Miami kundër klubit ekuadorian Independiente del Valle, ku ylli argjentinas përfundoi i rrëzuar në fushë.
Gjatë ndeshjes, disa tifozë hynë në fushë me qëllimin për t’iu afruar Messit dhe për të bërë fotografi me të. Në momentin kur njëri prej tyre u nis drejt tij, sigurimi reagoi me shpejtësi për ta ndaluar incidentin.
Në rrëmujën që pasoi, pjesëtarët e sigurimit e rrëzuan pa dashje vetë Messin, duke shkaktuar habi në tribuna. Argjentinasi i famshëm përfundoi në bari, por fatmirësisht pa pasoja serioze.
Situata u qetësua shpejt, tifozët u larguan nga fusha dhe ndeshja vazhdoi normalisht. Megjithatë, momenti kur një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave përfundon në tokë si pasojë e ndërhyrjes së sigurimit bëri xhiron e botës dhe u kthye në temë kryesore të mediave sportive.
Ndërkohë, Messi u aktivizua në pjesën e dytë dhe vendosi sfidën nga pika e bardhë për fitoren 2-1.
Të dielën, Inter Miami vazhdon sezonin në MLS me një vizitë te Orlando City./Telegrafi/