Lionel Messi ka dhënë një mesazh emocional pas asaj që e ka përshkruar si ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Argjentinës.
Kapiteni i “Albicelestes” ka pranuar se, edhe pse sapo ka përfunduar ndeshjen, tashmë ka filluar t’i mungojë fanella e kombëtares, ndërsa ka theksuar se është i bindur për vendimin që ka marrë.
“Dje ishte ndeshja ime e fundit dhe tashmë më mungon veshja e fanellës bardhekaltër. E di që po marr vendimin e duhur. Ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, i mbushur me gëzime dhe gjithashtu me disa trishtime, por e kam të qartë se ia vlejti çdo hap që bëra”, ka shkruar Messi.
Argjentinasi ka pranuar se ka shumë gjëra të tjera që dëshiron të thotë, por emocionet e një momenti të tillë nuk mund të përmblidhen lehtë në vetëm disa fjalë.
“Kam mbetur me shumë gjëra pa thënë. Është e pamundur të shpreh gjithçka që ndiej me disa fjalë apo në një postim”, ka deklaruar ai.
“Ky udhëtim do të ishte i pamundur pa familjen time”
Messi ka falënderuar në veçanti familjen e tij, e cila sipas tij ka qenë mbështetja kryesore gjatë gjithë karrierës me Argjentinën, sidomos në momentet më të vështira.
“Ky udhëtim do të kishte qenë i pamundur pa familjen time, e cila gjithmonë ishte pranë meje dhe më mbështeti, sidomos në momentet e vështira, kur kisha më shumë nevojë”, ka shkruar ai.
Kapiteni i Argjentinës ka falënderuar edhe miqtë, bashkëlojtarët, trajnerët dhe të gjithë stafet me të cilat ka punuar gjatë viteve.
Messi nuk e harron Maradonën
Në mesazhin e tij, Messi i ka kushtuar një pjesë të veçantë edhe Diego Armando Maradonës, legjendës së futbollit argjentinas.
“Nuk dua ta harroj Diegon, i cili e vendosi vendin tonë aty ku e meritonte të ishte dhe që, siç them gjithmonë, e di se na ndihmoi duke qenë këtu me ne dhe gjithashtu nga qielli, në çdo hap që hodhëm”, ka shkruar Messi.
Ai ka falënderuar edhe klubet ku ka luajtur, për respektin dhe mirëkuptimin që i kanë treguar gjatë kohës kur duhej t’i bashkohej Kombëtares.
“Faleminderit klubeve ku kam luajtur, që gjithmonë i respektuan ndjenjat e mia dhe më lejuan t’i përkushtohesha vendit tim kur ishte koha për të veshur fanellën e Kombëtares”, ka thënë ai.
Në fund, Messi ka falënderuar Zotin për gjithë rrugëtimin e tij dhe ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që kanë qenë pranë tij dhe Argjentinës.
“Jam mirënjohës. Ju dua shumë, do t’ju mungoj dhe gjithmonë do t’ju falënderoj që ishit pranë nesh, pranë meje”, ka përfunduar Messi. /Telegrafi/