Komisioni për emërtimin e rrugëve në Tetovë planifikonte të mbajë mbledhjen më datë 20 shtator, por ajo nuk u realizua.
Kreu i komisionit për emërtim të rrugëve Albi Qamili, mos kryerjen e kësaj procedure e ka arsyetuar me kontrollet që duhet bërë rreth emrave përpara se të dërgohen në qeveri.
“Është e vërtetë se ne kemi caktuar një plan dinamik për ecurinë e procesit të grupit të punës për emërtimin e rrugëve, por duhet të kemi parasysh delikatesën e këtij procesi. Ju i dini problemet administrative, juridike e gjuhësore që kanë hasur komunat e tjera të këtij procesi andaj, ne kemi thirr edhe ekspertë që janë marrë me këtë proces në komunat e tjera, siç është Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit, andaj duke marrë gjitha masat, ne kemi vlerësuar se është më mirë të ngadalësohet procesi por të ketë zgjidhje si duhet ligjore.”, tha Qamili.
Ai tha se procesi po shkon mirë dhe se lista do të kontrollohet edhe nga ekspertët.
“Por sërish do them se procesi shkon në rrugë të mbarë dhe deri në 30 shtator do kemi edhe mbledhjen e radhës të grupit të punës në të cilën mendojmë që do të përfundojmë dhe do kompletojmë listën e cila do kontrollohet nga ekspertët dhe më pas të lëshohet në Këshillin Komunal për miratim dhe në Qeveri për miratim.”, tha Qamili.