Ambasada e Japonisë në Kosovë ka mbajtur sot ceremoninë e pranim-dorëzimit të punimeve për renovimin e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Dr. Ibrahim Rugova” në Obiliq.
Projekti është realizuar në kuadër të skemës së Ndihmës me Grant të Qeverisë së Japonisë për Projekte Bazë (GGP), me një grant në vlerë prej 67 mijë e 122 eurosh.
Në ceremoni morën pjesë i Ngarkuari me Punë i Përkohshëm i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Sevdije Berisha Krasniqi, drejtoresha e shkollës, Fatmire Mjekiqi, si dhe zyrtarë komunalë dhe pjesëtarë të stafit të shkollës.
Projekti ka përfshirë renovimin e objektit kryesor të shkollës, me punime në dyshemetë e 19 klasave, muret e 25 klasave, si dhe në dyshemenë e sallës së sporteve.
Sipas Ambasadës së Japonisë, rreth 1 mijë e 450 nxënës dhe anëtarë të stafit pritet të përfitojnë nga kushtet e përmirësuara.
Në fjalën e tij, Tanigaki ka theksuar se projekti synon të rrisë sigurinë e nxënësve dhe të ofrojë një mjedis më të mirë për mësim.
Ai ka shprehur shpresën që nxënësit t’i shfrytëzojnë dhe t’i mirëmbajnë hapësirat e renovuara, duke shtuar se ky është projekti i parë i GGP-së në Komunën e Obiliqit.
Sipas tij, ky bashkëpunim e afron Japoninë me komunitetin lokal dhe forcon miqësinë ndërmjet Japonisë dhe Kosovës.
GGP është një nga skemat zyrtare të Ndihmës për Zhvillim të Japonisë dhe synon të mbështesë OJQ-të dhe institucionet publike lokale në adresimin e nevojave socio-ekonomike, veçanërisht në fushat e shëndetësisë, arsimit, mjedisit dhe mirëqenies sociale.
Japonia e ka zbatuar këtë skemë në Kosovë edhe para shpalljes së pavarësisë. Deri më tani, përmes GGP-së janë financuar 67 projekte në Kosovë, me një vlerë të përgjithshme prej 4 milionë e 445 mijë e 215 eurosh. /Telegrafi/