Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur pasditen e së martës në segmentin rrugor Landovicë–Gjonaj, në Prizren.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar se policia është njoftuar për aksidentin rreth orës 18:22.
Sipas tij, në aksident janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë.
“Patrulla policore ka reaguar menjëherë dhe ka dalë në vendin e ngjarjes. Me të arritur në ora 18:30, zyrtarët policorë kanë konstatuar se bëhet fjalë për një aksident trafiku me pasojë vdekjen”, ka deklaruar Bytyqi.
Ekipi i urgjencës ka konfirmuar vdekjen e motoçiklistit, Z.Q., i lindur në vitin 1994, nga fshati Romajë i Komunës së Prizrenit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori i shtetit.
Policia ka bërë të ditur se, me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë, do të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. /Telegrafi/