Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është i pakënaqur me propozimin e Iranit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për t’i dhënë fund luftës SHBA-Izrael me Iranin.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Trump u informua për planin e Teheranit, i cili përfshin gjithashtu përfundimin e bllokadës së SHBA-së në rrugën ujore kritike, gjatë një takimi në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë të hënën, raportoi The New York Times, duke cituar burime anonime të informuara mbi diskutimin.
Por propozimi nuk prek se çfarë duhet bërë me programin bërthamor të Iranit, thanë për Times zyrtarë të shumtë amerikanë dhe iranianë.
Irani më parë ka hedhur poshtë kërkesat e SHBA-së që të ndalojë të gjithë pasurimin e uraniumit, duke pohuar se ka të drejtë sipas ligjit ndërkombëtar për ta bërë këtë, dhe deri më tani ka refuzuar të dorëzojë uraniumin që e ka pasuruar tashmë.
Nuk është e qartë se me çfarë saktësisht ka qenë i pakënaqur Trump, por ai ka këmbëngulur prej kohësh në të dyja kërkesat bërthamore, shkruajnë më tej mediat e huaja.
“Shtetet e Bashkuara nuk do të negociojnë përmes shtypit – ne kemi qenë të qartë për vijat tona të kuqe dhe presidenti do të bëjë vetëm një marrëveshje që është e mirë për popullin amerikan dhe botën”, citohet të ketë thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, për Times.
Axios raportoi për herë të parë për propozimin të dielën, menjëherë pasi tha se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ia dorëzoi propozimin ndërmjetësve pakistanezë.
Sipas propozimit, një armëpushim do të zgjatej për një periudhë të gjatë ose do të bëhej i përhershëm, ndërsa bisedimet bërthamore do të fillonin vetëm pasi të rihapet ngushtica dhe të hiqen kufizimet, sipas Axios.
Siç theksohet më tej, Trump javën e kaluar hodhi poshtë një propozim tjetër nga Irani dhe negociatat në Pakistan që do të mbaheshin në Islamabad gjatë fundjavës u anuluan.
Zyrtarët amerikanë i thanë The New York Times se Irani nuk i autorizoi negociatorët të bënin ndonjë lëshim në lidhje me programin e tij bërthamor, duke i dhënë një goditje të madhe bisedimeve të paqes.
Debati në administratën Trump tani sillet rreth asaj se sa “dhimbje ekonomike” mund të përballojë Irani mes bllokadës së vazhdueshme të Ngushticës së Hormuzit nga SHBA-ja.
Prodhimi i naftës po e tejkalon me shpejtësi kapacitetin e magazinimit dhe puset nuk mund të mbyllen. Do të shkaktohen dëme të konsiderueshme nëse ato mbyllen dhe disa figura brenda administratës argumentojnë se Irani do të bënte një marrëveshje në vend që të përballonte kostot, raportoi Times. /Telegrafi/