Serbia po nxit qytetarët e Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut kundër Kosovës, me synimin që këtë frymë, si pjesë të komunikimit të saj strategjik kundër Kosovës, ta shtrijë gradualisht edhe në nivel institucional dhe shtetëror. Kjo frymë nuk po mbetet vetëm në margjina politike ose në grupe nacionaliste, por po shfaqet edhe në komuna, parti parlamentare dhe figura të larta shtetërore që kanë histori të qartë kundërshtimi ndaj Kosovës.
Ky nuk është vetëm proces propagandistik, por përpjekje për të prodhuar armiqësi shoqërore, për ta kthyer atë në klimë politike dhe më pas për ta përkthyer në qëndrime institucionale kundër Kosovës. Në këtë mënyrë, kontestimi i Kosovës nuk mbetet më vetëm qëndrim zyrtar i Serbisë, por tentohet të paraqitet si vullnet i qytetarëve dhe i institucioneve në vendet fqinje.
Zeta si precedent politik
Me 12 maj, në ditën e festës së Shën Vasilit, një i shenjtë për ortodoksët serbë dhe malazezë, Komuna e Zetës në Mal të Zi, e udhëhequr nga Partia Popullore Demokratike, mori vendim për “anulimin” e njohjes së Kosovës. Ky vendim erdhi pas mitingut të kësaj partie, të mbajtur më 10 maj, me në krye deputetin malazez Milan Knezheviq, ku u paralajmërua lobimi për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Knezheviqi, me gjuhë të qartë nacionaliste, shtoi se Mali i Zi duhet të dalë nga ky “kolonializëm” dhe të kthehet te rrënjët e Njegoshit.
Në dukje, ky vendim mund të duket absurd. Komunat nuk njohin shtete dhe as nuk mund të tërheqin njohje për diçka që nuk është në kompetencën e tyre. Por, pikërisht këtu qëndron thelbi i çështjes dhe qëllimi nuk është efekti juridik por politik, psikologjik dhe simbolik.
Zeta nuk mund ta ndryshojë statusin e Kosovës, por mund të krijojë precedent. Ajo mund të testojë reagimin e Podgoricës, të opinionit publik, të faktorit ndërkombëtar dhe të komunave të tjera ku aktorët pro-serbë kanë ndikim. Prandaj, ky rast nuk duhet lexuar si vendim komunal, por si test i eksportimit të kontestimit serb ndaj Kosovës në institucionet lokale të vendeve fqinje, ku një akt pa efekt juridik përdoret për të prodhuar efekt politik, emocional dhe komunikues. Kjo është fazë më e avancuar e luftës hibride. Fillimisht prodhohet narrativë, pastaj krijohet emocion kolektiv dhe ai emocion futet në religjion, histori, sport, festivale, grafite dhe tubime politike. Më pas një aktor lokal e shndërron këtë atmosferë në akt institucional, edhe nëse ai akt nuk ka fuqi juridike.
Mali i Zi si hapësirë e rikonfigurimit serb
Qëllimi është që te populli malazez të nxitet urrejtje ndaj Kosovës dhe simpati pro-serbe përmes religjionit, nacionalizmit, historisë dhe identitetit. Prandaj, pas zgjedhjeve të vitit 2020 dhe ndryshimeve politike në Mal të Zi, u forcua gradualisht ndikimi i partive pro-serbe dhe pro-ruse. Nuk është rastësi as instrumentalizimi i censusit, ku përmes fushatave politike, kishtare dhe identitare u tentua të ndryshohej raporti i deklarimit kombëtar në favor të identitetit serb.
Këtë e kam trajtuar më gjerësisht në punimin tim Rreziqet dhe rikonfigurimet gjeopolitike: Serbia dhe sfida për stabilitetin e Malit të Zi [“Geopolitical Risks and Reconfigurations: Serbia and the Challenge to Montenegro’s Stability], ku kam argumentuar se Serbia synon ta përdorë Malin e Zi si hapësirë të rikonfigurimit të ndikimit të saj rajonal. Serbia nuk e sheh Malin e Zi vetëm si shtet fqinj, por si hapësirë të humbur strategjike, identitare dhe gjeopolitike. Për Serbinë, humbja e Malit të Zi nënkupton edhe humbje të daljes në det, humbje të thellësisë strategjike dhe humbje të një pjese të narrativës historike serbe mbi ortodoksinë, sllavizmin dhe trashëgiminë politike të rajonit.
Pikërisht për këtë arsye, Kosova përdoret në Mal të Zi jo vetëm si çështje e politikës së jashtme, por si instrument për të riorientuar vetë identitetin politik të Malit të Zi. Referimi i Knezheviqit te Njegoshi tejkalon retorikën historike drejt asaj politike. Përmes Njegoshit, Kishës Ortodokse Serbe, Shën Vasilit dhe simboleve të tjera fetare e historike, synohet të ndërtohet një vijë ideologjike ku Mali i Zi paraqitet si pjesë e botës serbe dhe jo si shtet qytetar, i pavarur dhe euroatlantik.
Rrethi i komunave pro-serbe
Në këtë kuptim, rasti i Zetës lidhet drejtpërdrejt me përpjekjen për krijimin e një rrethi komunash, strukturash dhe aktorësh pro-serbë brenda Malit të Zi. Ky rreth nuk ka nevojë të shpallet menjëherë si projekt formal. Ai mund të ndërtohet gradualisht përmes komunave, partive, kishës, mediave, censusit, narrativave historike dhe mobilizimit lokal.
Fillimisht krijohen ishuj politikë pro-serbë. Pastaj këta ishuj lidhen mes vete. Në fund, ata mund të përdoren si bazë për kërkesa më të mëdha politike: më shumë kompetenca, autonomi, asociacion komunash, federalizim, referendum ose presion ndaj qeverisë qendrore.
Kjo logjikë bëhet edhe më serioze kur shihet se fryma anti-Kosovë nuk kufizohet vetëm te komunat ose te aktorët lokalë si Zeta dhe Knezheviqi. Ajo ka hyrë edhe në nivelin më të lartë institucional të Malit të Zi. Kryetari aktual i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka qenë ndër kundërshtarët më të ashpër të njohjes së Kosovës nga Mali i Zi. Qëndrimet e tij të mëparshme anti-Kosovë nuk kanë mbetur vetëm në nivel retorik opozitar, sepse sot ai udhëheq institucionin më të lartë përfaqësues të shtetit malazez dhe është pjesë e arkitekturës së sigurisë së vendit.
Kjo tregon se kemi të bëjmë me një zinxhir politik, institucional dhe komunikues, jo me incidente të shkëputura. Komunat shërbejnë si terren testimi, partitë pro-serbe si mekanizëm mobilizimi, ndërsa institucionet qendrore si hapësirë potenciale për ta kthyer këtë klimë në presion shtetëror. Në këtë zinxhir, Zeta dhe Knezheviqi funksionojnë si leva lokale të agjendës së “Botës Serbe”, ndërsa Mandiqi tregon hyrjen e kësaj fryme në nivel qendror institucional. Jo vendimi i Zetës si dokument, por Zeta si laborator politik.
Maqedonia e Veriut dhe normalizimi i urrejtjes
E njëjta logjikë është parë edhe në Maqedoninë e Veriut. Në janar të vitit 2026, rasti i Vevçanit tregoi se si narrativa nacional-shoviniste serbe po depërton në hapësira kulturore, festive dhe lokale. Më 16 janar kam argumentuar se ky rast është karakteristik për fazën e presionit psikologjik dhe shoqëror të luftës hibride, ku qëllimi nuk është domosdoshmërisht eskalimi i menjëhershëm, por normalizimi gradual i diskursit të urrejtjes dhe konfliktit.
Në Maqedoninë e Veriut janë dëgjuar edhe thirrje të hapura anti-shqiptare në ngjarje sportive, përfshirë thirrje si “Vritni shqiptarët”. Këto mesazhe nuk duhet të trajtohen si incidente të izoluara, sepse përsëriten në forma të ndryshme në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe në hapësira të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Një grafit mund të jetë incident. Një thirrje në stadium mund të jetë incident. Një karnaval mund të paraqitet si satirë. Një vendim komunal mund të duket absurd. Por kur të gjitha këto përsëriten në vende të ndryshme, me të njëjtën logjikë anti-Kosovë dhe anti-shqiptare, atëherë nuk kemi më thjesht incidente. Kemi model veprimi.
Rrethimi psikopolitik
Ajo që tregojnë këto raste është se Serbia po vepron në mënyrë shumëvektoriale. Ajo përdor nacionalizmin, religjionin, sportin, grafitet, festivalet, komunat dhe aktorët politikë për të krijuar një mendësi anti-Kosovë në rajon. Synimi është që fillimisht të prodhohet presion shoqëror, pastaj të krijohet klimë politike dhe në fund kjo klimë të përkthehet në qëndrime institucionale kundër Kosovës.
Pra, kemi të bëjmë me një formë rrethimi psikopolitik ndaj Kosovës. Jo rrethim klasik ushtarak, por rrethim me armiqësi të prodhuar në shoqëritë përreth saj. Qëllimi është që Kosova të mos përballet vetëm me kontestimin shtetëror të Serbisë, por edhe me një klimë të fabrikuar armiqësore në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.
Kjo i shërben Serbisë në disa drejtime. E relativizon rolin agresiv të Beogradit, sepse çështja nuk paraqitet më si Serbi kundër Kosovës, por si “pakënaqësi rajonale” ndaj Kosovës. Krijon presion mbi qeveritë fqinje që të mos e mbështesin Kosovën fuqishëm. Po ashtu, i jep Serbisë material propagandistik dhe diplomatik për ta paraqitur Kosovën si faktor destabilizues, ndërsa vetë Serbia paraqitet si shtet që “menaxhon shqetësimet” e serbëve dhe aleatëve të saj në rajon.
Prandaj, Zeta dhe Knezheviq nuk janë fillimi i kësaj strategjie. Ata janë aktivizimi i saj në formë të hapur politike. Juridikisht, efekti i veprimit të Komunës së Zetës është zero. Politikisht dhe psikologjikisht, efekti është real. Ky është evoluimi tipik i luftës hibride: nga narrativa në emocion, nga emocioni në mobilizim, nga mobilizimi në akt lokal dhe nga akti lokal në presion institucional. Nëse ky model nuk identifikohet dhe nuk kundërshtohet herët, ai mund të shndërrohet në zinxhir politik rajonal kundër Kosovës.
(Autori është profesor në Kolegjin Universum dhe bashkëpunëtor i jashtëm në ISLH “OCTOPUS”)