Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar sërish për sulmet, siç i ka cilësuar, të koordinuara digjitale ndaj profileve zyrtare të kandidatit të kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku.
Sipas këtij subjekti politik, këto sulme kanë vazhduar edhe sonte.
“Përmes rrjeteve të profileve të rreme, ndërhyrjeve të automatizuara dhe aktivitetit të sinkronizuar manipulativ, që ngjajnë brenda pak minutash, po tentohet të krijohet artificialisht perceptimi publik dhe të ndërtohet paraprakisht infrastruktura propagandistike për një fushatë të ardhshme të atakimit dhe diskreditimit politik.”, thuhet në reagim.
LDK-ka vlerëson se e gjithë kjo është një formë e organizuar.
“Kemi të bëjmë me një formë të organizuar të ndërhyrjes hibride në komunikimin publik dhe procesin demokratik në vend. Për këtë arsye, Lidhja Demokratike e Kosovës do ta adresojë sërish këtë çështje nesër në mëngjes në Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse, duke kërkuar trajtim serioz, profesional dhe urgjent të këtij aktiviteti të rrezikshëm.”, thuhet tutje.
LDK-ja thotë se Kosova nuk guxon të lejojë që debati demokratik të zëvendësohet me manipulim digjital, propagandë anonime dhe sulme të organizuara ndaj komunikimit politik të lirë.
“Asgjë, megjithatë, nuk do ta ndalë komunikimin tonë me qytetarët e Republikës. As profilet e rreme. As propaganda. As frika nga bashkimi që po ndodh në Kosovë.”, përfundon reagimi.