Mendi Qyra dhe VLEN lëshuan pe përballë OBRM-PDUKM-së dhe nga sot Mite Stefovski nga partia e Mickoskit është kryetar i ri i Këshillit të Komunës së Strugës. OBRM-PDUKM për më shumë se dy muaj insistonte që kryetari i këshillit të jetë nga radhët e saj, në të kundër kërcënonte me largim nga koalicioni me VLEN në nivel lokal. Përveç dhjetë këshilltarëve të VLEN-it dhe OBRM-PDUKM-së, votuan edhe tre këshilltarët nga lista e ish-kreut të Strugës Ramiz Merko, si dhe këshilltari nga “E Majta”.
Stefovski premtoi punë në përputhje me rregulloren dhe ligjet. Ai nuk deshi të komentojë se çfarë qëndron pas mbështetjes nga lista e Merkos.
„Nuk do të përgjigjem në komente të tilla. Siç e patë, mbështetja erdhi nga shumë grupe të ndryshme, parti, këshilltarë të pavarur, përfaqësues të partive që nuk janë në asnjë marrëdhënie koalicioni. Megjithatë, vetëdija dhe përgjegjësia për të zhbllokuar punën e Këshillit mbizotëruan mbi interesat e ngushta partiake dhe kësaj here duhet të vazhdojmë me punë normale, sepse qytetarët e presin këtë nga ne”, deklaroi Mite Stefovski – kryetar i Këshillit të Komunës së Strugës.
Sot të gjithë struganët panë qartë se në Këshillin e Komunës së Strugës dhe në vetë komunën funksionon koalicion i ri mes OBRM-PDUKM-së, partisë “E Majta”, VLEN-it dhe të ashtuquajturës “Lista Merko”, akuzuan nga grupi i këshilltarëve të AKI.
Nga VLEN mohojnë se ekziston ndonjë marrëveshje e fshehtë. Pas zgjedhjes së kryetarit u miratuan edhe pikat e tjera, ndër të cilat edhe buxheti për vitin 2026. /Alsat/