Dështuan përpjekjet e kryeministrit të larguar për të mobilizuar një lloj patriotizmi më të shëndetshëm dështuan. Andy Burnham mund të ketë më shumë shanse.
Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Britania nuk është e paqeverisshme, por kupa e postit të lartë është mbushur me helm që vepron shumë shpejt. Gjashtë kryeministra në një dekadë. Spektakli i foltores së vendosur jashtë Numrit 10 [Kryeministria/Downing Street] për një fjalim dorëheqjeje ka fituar trajtën e një rituali.
Që nga referendumi për Brexit-in, mandati mesatar në Kryeministri ka qenë më pak se dy vjet. Ai votim nuk është drejtpërdrejt përgjegjës për përfundimin e sundimin e Keir Starmerit. Ai solli në detyrë mangësi që nuk kanë lidhje me BE-në. E ka marrë pushtetin pa një ndjesi të qartë se për çfarë e donte atë dhe e kundërshtoi pritshmërinë që të shpjegonte veten më mirë. Por, ato dobësi u ekspozuan në mënyrë më mizore në klimën tonë të tharë post-Brexit – një dekadë pas fillimit të thatësirës së mirëbesimit.
Qeverisja është më e vështirë kur burimet shpërdorohen në një ushtrim të artit shtetëror të vetëdëmtimit. Shkëputja e Mbretërisë së Bashkuar nga tregu i përbashkët dhe ndërtimi i sistemeve të reja për të penguar tregtinë ishin procese që dogjën rezervat e kapitalit diplomatik dhe besueshmërisë ekonomike. Kostoja në rritjen e munguar – matësi i asaj se sa më e pasur do të kishte qenë Britania në trajektoren e para-referendumit – vlerësohet të jetë në rangun e 4-8 përqind të PBB-së.
Ky numër nuk përfshin dëmin emocional: vrazhdësinë e debatit; radikalizimin dhe polarizimin; helmimin e kulturës politike nga një lëvizje që shiti mjerimin si çlirim dhe, kur gjithçka shkoi keq, fajësoi palën humbëse se refuzoi të kënaqte iluzionet e fituesve.
Britania nuk është e vetmja demokraci që përjeton pabarazitë ekonomike dhe lëvizjet sociale që ushqejnë populizmin. Historianët do ta vendosin Brexit-in në kontekstin më të gjerë të një kundërsulmi nacionalist pan-evropian dhe transatlantik ndaj stilit të vetëkënaqësisë së globalizmit liberal i cili mendonte se veçse e kishte fituar betejën e tij përfundimtare ideologjike kur u shemb Bashkimi Sovjetik.
Sindroma nuk është unike për asnjë vend, por ka idiosinkrazi lokale. Manifestimi i saj përmes një referendumi është një faktor i komplikuar për Britaninë. Ka qartësi në qëllim kur një parti radikale ose një kandidat demagog ngrihet në një zgjedhje të zakonshme, dhe gjithashtu një njohje e brendshme se rezultati është i kushtëzuar nga performanca. Votuesit mund të ndryshojnë mendje herën tjetër. Një koalicion tjetër elektoral mund të organizohet, siç ndodhi përfundimisht në Hungari këtë vit për të rrëzuar Viktor Orbánin pas 16 vjetësh. Një plebishit nuk përmban asnjë premtim për herën tjetër. Përkundrazi, supozohet se fundi i mandatit ishte karta fituese e palës në largim. Asnjë sasi provash për të treguar se Brexit-i ishte gabim nuk mund ta thynte pretendimin se jetesa me vendimin, pavarësisht pasojave, përgjithmonë barazohej me përmbushjen e panegociueshme të vullnetit popullor.
Përmasat e atyre pasojave u mjegulluan gjithashtu nga pyetja në fletëvotim dhe mezi u sqaruan gjatë fushatës. Asnjë nga ankesat që mobilizuan votën për largim nuk do të plotësohej kurrë nga humbja e anëtarësisë në BE. Ta varfëroje vendin dhe të dorëzoje një vend në komitete drejtuese kontinentale që forcojnë fuqinë e Mbretërisë së Bashkuar në botë, nuk ishte mënyra për të “rimarrë kontrollin”.
Ky çorientim ka pasoja të shëmtuara. Retorika e një lufte çlirimtare kombëtare kundër një shtypësi kolonial imagjinar në Bruksel, e shndërroi Brexit-in në një garë për të përcaktuar qëllimin patriotik. Kur realizimi i synimit të deklaruar të fituesve çoi në një qorrsokak, atyre iu deshën armiqtë e rinj për ta mbajtur gjallë kauzën. Është një histori e vjetër. Kur revolucionet dështojnë të përmbushin premtimet e tyre, duhet të jetë faji i sabotatorëve, tradhtarëve, “armiqve të popullit”.
Sa më i madh zhgënjimi, aq më agresive gjuetia për koka turku. Nigel Farage nuk po i shijon pasojat pozitive të arritjes së tij vizionare të 10 vjetëve më parë, por është i zënë duke eksploruar mënyra gjithnjë e më hakmarrëse për ta paraqitur imigracionin si shkakun e fatkeqësive të kombit. Animoziteti racor i nënkuptuar në fushatën e Brexit-it – jo fin, por i koduar me një lloj mohimi – tani është pa ekuivoke. Politika e banesave e partisë Reform UK premton të përmbysë paragjykimet “anti-të bardha” në sistem, duke revokuar statusin e qëndrimit të emigrantëve për qindra-mijëra njerëz, duke i bërë shumë prej tyre të pranueshëm për dëbim dhe më pas për deportim. Është një plan për të liruar fondin e banesave sociale përmes spastrimit etnik.
Paaftësia e Starmerit për t’u përballur me atë radikalizim do të jetë pjesa më e keqe e trashëgimisë së tij. Në opozitë ai e internalizoi tabunë e vënies në dyshim të mençurisë së Brexit-it, me argumentin se votuesit në bastionet e dikurshme elektorale të laburistëve ishin kapur nga pala për largim në një luftë kulturore dhe mund t’u drejtoheshin vetëm në ato terma. Në qeveri, ai supozim ushqeu faragizmin zvarritës në Ministrinë e Brendshme. Kryeministri përsëriti strategjinë e dështuar të konservatorëve për të provuar të rikthente votuesit nga Reform UK, duke amplifikuar dhe vërtetuar argumentet e liderit të saj.
Do të ishte e padrejtë të thuhej se Starmeri nuk bëri asgjë për të kundërshtuar normalizimin e retorikës së ekstremit të djathtë. Por, siç ndodh shpesh, ai e gjeti rrugën e duhur duke eksploruar së pari atë të gabuarën. Vetëm pasi kishte provokuar tërbim dhe dëshpërim në partinë e tij, duke tingëlluar si Enoch Powell kur paralajmëronte se Britania rrezikonte të bëhej një “ishull i të huajve”, ai e ndryshoi tonin. Fjalimi i tij në konferencën e laburistëve, vitin e kaluar, ishte plot me qëllime korrektuese. Ai foli për një patriotizëm të rrënjosur në “dashuri dhe krenari që ka të bëjë me shërbimin ndaj një interesi që është më shumë se vetvetja”. Ai e krahasoi këtë me modelin e Farageit të negatives së pafund, duke nxitur urrejtje sepse ambicia e tij mbështetet në shtypjen e mirëkuptimit të ndërsjellë.
Por, zëri i Starmerit nuk shkoi përtej auditorit dhe ai nuk kishte asnjë ide se si ta projektonte atë me një rezonancë të qëndrueshme emocionale. Për këtë arsye, Andy Burnham, duke supozuar se ai është pasardhësi, fillon me avantazhin e një stili më natyror në tregimin e historive. Sigurisht që do të duhet më shumë sesa aftësia narrative për të kulluar helmin nacionalist që përshkon trupin politik. Dështimi i komunikimit fillon me politika të dizajnuara keq. Autenticiteti rrjedh nga siguria e qëllimit. Është e vështirë të shesësh diçka me pasion të sinqertë kur nuk e di vërtet për çfarë shërben. Burnhami mund ta keqkuptojë ende këtë. Por, ndihmon që ai e di kundër kujt është. Licenca e tij parlamentare thjesht për të qenë kandidat për postin më të lartë, për mini-mandatin e tij, u fitua në përballje me Reform UK në Makerfild.
Starmeri erdhi në pushtet duke menduar se mund ta linte Brexit-in pas krahëve. Ai nuk e pa atë si një garë midis modeleve të identitetit kombëtar. Ai nuk ka parë se si vazhdimi i vërtetë i luftës së referendumit nuk ishte argument për marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me BE-në, por një betejë për të rimarrë patriotizmin nga lëvizja ideologjike që e përcakton atë me tërbim dhe segregacion racor. Është një luftë që Burnhami mund ta fitojë në një vend ku shumica e njerëzve nuk duan t’i deportojnë miqtë dhe fqinjët e tyre. Është një luftë që ai duhet ta fitojë nëse dëshiron të mposhtë mallkimin e Brexit-it dhe të qëndrojë në Kryeministri mjaftueshëm për të arritur çdo gjë tjetër. /Telegrafi/
