Ish-zëvendëssekretarja e Shtetit e SHBA-së, Wendy Sherman, thotë se Teherani ka dalë nga lufta në një pozicion shumë më të fortë se SHBA-të, të cilat e nisën konfliktin më 28 shkurt me sulme ajrore SHBA-Izrael që synonin bazat ushtarake dhe qeveritare iraniane, nga të cilat janë vrarë zyrtarë iranianë dhe udhëheqësi Ali Khamenei.
Duke folur për Euronews, diplomatja me përvojë që udhëhoqi ekipin që negocioi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin, përshëndeti bisedimet aktuale midis Uashingtonit dhe Teheranit, por paralajmëroi se mbeten pasiguri të mëdha mbi çdo marrëveshje të mundshme.
“Ajo që po ndodh në të vërtetë nuk është e qartë”, ka thënë ajo. “Shtetet e Bashkuara po thonë një gjë dhe Irani po thotë diçka tjetër”.
Sherman kritikoi koston e raportuar të marrëveshjes kornizë të lidhur me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Ajo theksoi se verifikimi do të ishte çelësi për çdo marrëveshje të qëndrueshme.
Dhe sipas saj, inspektorët nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike duhet të kthehen në terren.
“Nuk mund të bësh asgjë në negociata… pa e ditur se cili është realiteti”, tha ajo.
Për momentin, SHBA-të dhe Irani janë në mosmarrëveshje nëse Teherani ka rënë dakord të lejojë këto inspektime të vendeve të tij bërthamore.
Për Shermanin, konflikti ka theksuar nevojën për të folur.
“Diplomacia është e nevojshme. Veprimi ushtarak nuk do ta zgjidhë këtë problem”.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se Irani mund të shfaqet me ndikim më të madh në Liban dhe në të gjithë rajonin, duke i komplikuar përpjekjet më të gjera për të siguruar stabilitet. /Telegrafi/
