Barcelona raportohet se e ka bërë sulmuesin e Chelseat, Joao Pedro, objektivin kryesor për pozitën e numrit nëntë këtë verë, ndërsa drejtori sportiv Deco nuk po humb kohë për të avancuar negociatat.
Pedro aktualisht është i përfshirë në garën e Chelseat për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, ku skuadrës londineze i duhen rezultate pozitive në dy ndeshjet e fundit të sezonit.
Pasi kanë arritur në përfundimin se një transferim i sulmuesit të Atletico Madrid, Julian Alvarez, do të ishte shumë i vështirë për t’u realizuar, Deco thuhet se ka zhvendosur vëmendjen te Joao Pedro, të cilin e sheh si një alternativë shumë të mirë për repartin ofensiv.
Të enjten u raportua se Barcelona beson se mund ta mbyllë marrëveshjen për rreth 70 milionë euro, por informacionet e fundit nga Londra tregojnë se Chelsea do të kërkojë të paktën 100 milionë euro për kartonin e lojtarit.
Sipas raportimeve të Mundo Deportivo dhe Sport, Deco mbërriti në Londër të premten për t’u takuar me agjentin e Pedros dhe me drejtuesit e Chelseat.
Ai ka qenë në kontakt me agjentin e lojtarit prej javësh, por qëllimi kryesor i vizitës është të kuptojë qëndrimin e Chelseat lidhur me një transferim të mundshëm.
Ndërkohë, Chelsea do të luajë të shtunën finalen e FA Cup kundër Manchester Cityt, ndeshje për të cilën edhe agjenti i lojtarit ka udhëtuar drejt Anglisë.
Përveç Joao Pedro dhe Julian Alvarez, me Barcelonën janë lidhur edhe emra të tjerë në muajt e fundit. Kapiteni i Interit, Lautaro Martinez, vazhdon të mbetet në radarët e klubit katalanas, pas një periudhe ku interesimi për të ishte ftohur./Telegrafi/