Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Myftiu Naim ef. Tërnava, përveç vendimeve të tjera, vendosi që të përkrahë fuqishëm marshin protestues “Liria ka emër”, i cili është paraparë të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të çlirimtarëve tanë, që padrejtësisht po mbahen dhe po tentohen të dënohen në Hagë.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se kryesia e BIK-ut, gjyqin në Hagë e konsideron një proces me prapavijë politike, që ka për qëllim atakimin e vlerave të UÇK-së.
“Për popullin e Kosovës, UÇK-ja mbetet vlera më sublime, e mishëruar me lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e popullit dhe vendit tonë. Është e papranueshme që të relativizohen krimet serbe dhe, në të njëjtën kohë, përmes gjyqeve politike të krijohet një baraspeshë e rreme, siç po tentohet të veprohet nga gjykata në Hagë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim kryesia vendosi që hytbeja e xhumasë, ditën e premte më 13 shkurt, në të gjitha xhamitë e Kosovës, t’i kushtohet 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së vendit dhe tema bosht të jetë mesazhi përkrahës për luftëtarët e lirisë.
“Kryesia e BIK-ut po ashtu mbështet fuqishëm deklaratën e djeshme të Myftiut Naim ef. Tërnava kundër kërkesës së prokurores së Dhomave të Specializuara, e cila ka kërkuar dënim për çlirimtarët tanë. Presim lirimin e çlirimtarëve tanë dhe besojmë se drejtësia do të fitojë. Ftojmë të gjithë që të marrin pjesë në marshin protestues në mbështetje të çlirimtarëve tanë më 17 shkurt në Prishtinë. /Telegrafi/