Në librin Të padisësh Kremlinin: Beteja për miliardat e Putinit [Suing the Kremlin: The Battle for Putin’s Billions], Martin Sixsmith tregon se si një përpjekje këmbëngulëse nga avokatët mund të sigurojë dëmshpërblim për ata të cilëve u janë eksproprijuar pasuritë nga udhëheqësi i Rusisë.
Nga: Julian Evans / The Telegraph (titulli: The $50bn lawsuit that could bring down Putin)
Përkthimi: Telegrafi.com
Në Perëndim nuk ka mospajtime lidhur me faktin se Vladimir Putini e ka plaçkitur Rusinë. Disa vite më parë, revista Forbes e vlerësoi pasurinë e tij personale në 200 miliardë dollarë [172 miliardë euro]. Në çfarë tjetër mënyre mund ta kishte grumbulluar pasurinë e tillë një ish-oficer i zakonshëm – pa ndonjë spikatje – i rangut të mesëm në KGB, i cili gjatë inaugurimit të tij në vitin 2000 e përshkroi me devotshmëri detyrën e tij të shenjtë” për bashkimin e popullit rus?
Përgjigjja e saktë qëndron te marrëveshja e tij me oligarkët rusë. Menjëherë pasi erdhi në pushtet, presidenti ua bëri të qartë biznesmenëve më të pasur të vendit se pasuritë e tyre i kanë borxh favorizimit të tij. Besnikëria do të shpërblehej, ndërsa do të ishte i pamëshirshëm ndëshkimi për mungesë besnikërie. Kjo marrëveshje ka zgjatur për 20 vjet, por kohët e fundit ka shenja se oligarkët e Putinit nuk janë më të gatshëm t’i binden. Në librin e tij të ri, të përqendruar ngushtësisht te kjo temë, Të padisësh Kremlinin, Martin Sixsmith tregon se si një përpjekje këmbëngulëse nga avokatët ka hapur, çuditërisht, mundësinë e dëmshpërblimit për ata që janë eksproprijuar nga udhëheqësi i Rusisë.
Në vitet ’90 të shekullit XX, pas rënies së komunizmit, gangsterët dhe biznesmenët ambiciozë luftuan për pasurinë e Rusisë. Kështu hynë në skenë oligarkët. Në krye të tyre ishte Mikhail Khodorkovsky – një ish-anëtar i ri i organizatës rinore komuniste Komsomol – i cili fillimisht importoi kompjuterë perëndimorë, më pas përfitoi fusha nafte në Siberi – përmes skemës së kredive kundrejt aksioneve – dhe ndërtoi gjigantin e naftës dhe gazit, Yukos. Në fillim të viteve 2000, me një pasuri prej 15 miliardë dollarësh, Khodorkovsky ishte njeriu më i pasur në Rusi.
Si president, mesazhi i parë i Putinit për këta oligarkë ishte i butë: ai nuk do të ndërhynte në bizneset e tyre nëse ata qëndronin larg politikës. Por, në shkurt të vitit 2003, kjo marrëveshje u shemb. Gjatë një takimi mes presidentit dhe drejtuesve të biznesit rus, Khodorkovsky u ngrit dhe kritikoi gjatë – duke paraqitur edhe prova – korrupsionin në Rusi dhe ekonominë e sunduar nga hajdutët. Më keq akoma, kritika e tij u transmetua në televizion.
Mikhail Khodorkovsky më 2018Foto: Alastair Grant/AP
Putini u tërbua. Rënia e Khodorkovskyt ishte e shpejtë: deri në nëntor të atij viti ai ishte arrestuar nën akuzat për mashtrim, ndërsa Yukos-i u godit me akuza të mëdha për shkelje tatimore (akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht). Pasuan kërkesat gjithnjë e më të mëdha për taksa të papaguara, derisa në vitin 2006 kompania u shpall e falimentuar. Khodorkovsky dhe bashkëpunëtori i tij, Platon Lebedev, u nxorën në gjyq, u dënuan dhe kaluan nëntë vjet në kampe pune. Pasi kompania u copëtua, pasuria e saj përfundoi në duart e njerëzve të emëruar nga Putini dhe prej tyre – sipas pretendimeve – te vetë Putini. Ashtu si në një skemë klasike zhvatjeje me “mbrojtje”, pretendohet se, pas arrestimit të Khodorkovskyt, Putini u kërkoi oligarkëve të dorëzonin deri në 50 për qind të pasurisë së tyre për të garantuar sigurinë e tyre.
Prandaj, Të padisësh Kremlinin mund të kishte qenë një histori e pandërprerë dëshpëruese. Por, në këtë peizazh të zymtë ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Me këmbëngulje të palëkundur dhe nën drejtimin e avokatëve të specializuar, Khodorkovsky dhe kompania mbajtëse e Yukos-it, Group Menatep, ngritën një rast kundër Kremlinit, duke përdorur një instrument të ndërlikuar, por efektiv, të së drejtës tregtare ndërkombëtare.
Traktati i Kartës së Energjisë (1991), i projektuar për të mbrojtur investitorët në industrinë e naftës dhe gazit nga trajtimi i padrejtë prej qeverive kombëtare, u bë mjeti për ndjekjen e pandërprerë të Kremlinit nga avokatët e Menatep-it gjatë 19 vjetëve pasuese. Në vitin 2014, kundër shtetit rus u fitua një dëmshpërblim rekord prej 50 miliardë dollarësh. Dy vjet më vonë ai u rrëzua në apel nga një gjykatë e qarkut në Holandë, por në vitin 2020 Gjykata e Apelit e Holandës vendosi sërish në favor të Menatep-it. Në vitin 2025, Gjykata Supreme e Holandës hodhi poshtë apelimin e fundit të Rusisë.
Khodorkovsky, atëherë kryetar i kompanisë së naftës “Yukos”, në bisedime me Putinin në vitin 2002Foto: Sovfoto/Universal Images/Shutterstock
Nuk mund ta ketë ndihmuar mbrojtjen e Rusisë fakti që gjatë dy dekadave të procesit gjyqësor të Menatep-it, shteti rus dhe udhëheqësi i tij kanë vazhduar të forcojnë reputacionin e tyre si kriminelë dhe agresivë. Ky nam i keq e ka bërë të vështirë sekuestrimin e aseteve ruse – për arsye tipike të botës së krimit. Në juridiksione të kujdesshme ose të frikësuara, si Belgjika (e cila gjithashtu hodhi poshtë një plan të Bashkimit Evropian për përdorimin e aseteve ruse në ndihmë të Ukrainës në vitin 2025) dhe Franca (e cila në një moment ia kishte borxh Rusisë një shumë të madhe për kontrata të anuluara të mbrojtjes), procesi është bllokuar shpeshherë në gjykata. Gjykatat amerikane dhe angleze kanë treguar më shumë vendosmëri, dhe shitja në ankand e markave tregtare të vodkës Stolichnaya dhe Moskovskaya ka sjellë këstin e parë të parave.
Sixsmith është autor me përvojë të madhe në temat ruse, njohuritë e të cilit datojnë që nga koha kur raportonte nga Moska gjatë rënies së Bashkimit Sovjetik. Ai arrin të menaxhojë sasi të mëdha të materialit juridik me një shkathtësi narrative që nuk sakrifikon as detajet dhe as ritmin.
Martin Sixsmith ishte gazetar në Moskë gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik
Megjithatë, nuk është krejtësisht e qartë – përveç faktit se Sixsmithi e ndihmoi Khodorkovskyn të shkruante një libër në vitin 2022 – pse ky i fundit del pothuajse i paprekur nga gjykimi moral i librit. Si i ri në vitet ’90 të shekullit XX, kur shumë gjak u derdh për shkak të kaosit ekonomik në Rusi, Khodorkovsky me gjasë kishte mbrojtës të fuqishëm.
Natyrisht, nuk po sugjeroj në asnjë mënyrë se Khodorkovsky ishte gangster; dhe, vlen të shtohet se sot, duke jetuar në mërgim në Londër, ai është një kritik i njohur i Putinit dhe kundërshtar i luftës, duke i quajtur rregullisht të dyja – si Putinin ashtu edhe luftën – të paligjshme dhe kriminale. Megjithatë, historia befasuese e Të padisësh Kremlinin shijohet më mirë me një dozë të lehtë skepticizmi ndaj idesë se e mira triumfon mbi të keqen, si dhe me një qasje relaksuese ndaj pjesëve më të errëta të së kaluarës së një oligarku.
Po Putini?
Ndoshta pasoja më ironike e sundimit të tij është se, pikërisht në këtë moment, udhëheqësi i perandorisë së dëshiruar ruse përballet me kërcënime në shumë drejtime: jeta e tij mund të rrezikohet nga mundësia e një droni ukrainas të pajisur me disa kilogramë eksploziv C-4; ndërsa, pasuria dhe pushteti i tij, ashtu siç i njeh ai, kërcënohen nga një oligark dikur i bindur i cili nuk beson më se presidenti po i jep atë për të cilën ai ka paguar. /Telegrafi/
