Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i dërgoi një letër të hapur homologut rus, Vladimir Putinit, në të cilën i bëri një ftesë personale për një takim ballë për ballë me qëllim përfundimin e luftës.
Letra u publikua një ditë pasi Ukraina kreu një sulm të madh ndaj Shën Petersburgut, duke goditur një depo të madhe nafte dhe objektiva ushtarake në të njëjtën ditë kur Putini po priste liderë botërorë në forumin e tij kryesor ekonomik.
Në letër, Zelensky paraqet argumentet pse Putini duhet t’i japë fund konfliktit dhe vendos kushtet për rifillimin e negociatave.
“Kjo luftë është zgjedhja juaj personale”
“Pothuajse gjysmën e 26 viteve tuaja në pushtet në Rusi e keni kaluar në luftë kundër Ukrainës”, shkruan Zelensky dhe shtoi se “çfarëdo që të thoni për NATO-n, gjeopolitikën apo gjuhën ruse, kjo luftë është zgjedhja juaj personale – një luftë pa arsye të vërtetë. Historia do ta kujtojë kështu”.
Ai kujton dështimin e Rusisë për të pushtuar Kievin në vitin 2022, ndikimin e sanksioneve ndërkombëtare mbi ekonominë ruse, humbjet e mëdha njerëzore dhe pakënaqësinë në rritje të qytetarëve rusë ndërsa lufta vazhdon, transmeton Telegrafi.
“Luftës suaj nuk po i shihet fundi”
“Popullit rus nuk i pëlqejnë dronët dhe raketat tona. Nuk i pëlqejnë mungesat e karburantit dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve. Nuk i pëlqejnë kufizimet e përhershme. Nuk u pëlqen synimi juaj për një valë të re mobilizimi për të zgjeruar luftën në Ukrainë ose kundër ndonjë vendi tjetër fqinj. Nuk u pëlqen që luftës suaj nuk po i shihet fundi”, shkruan presidenti ukrainas.
Propozimi për takim dhe negociata
Zelensky e ftoi Putinin në një takim në një vend neutral për të rënë dakord mbi kushtet e një marrëveshjeje paqeje.
“Ukraina ofron fundin e kësaj lufte. Duhet ta bëjmë këtë në mënyrë të drejtë, me dinjitet dhe me garanci që një luftë e re nuk do të shpërthejë. Propozoj që të takohemi”, shkroi ai.
Ai kërkoi që presidenti rus të caktojë një datë të qartë për takimin dhe theksoi se edhe Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të kenë rol në proces.
“Do të detyroheni të luftoni për mbijetesën tuaj”
“Duhet të përcaktojmë se çfarë e ardhme pret brezat e ardhshëm të ukrainasve dhe rusëve”, i shkruan Zelensky homologut të tij rus.
“Nëse nuk e kuptoni vetë se ka ardhur koha për t’i dhënë fund kësaj lufte, Ukraina do të vazhdojë të luftojë për mbijetesën e saj. Ne do të kemi mbështetje. Por edhe ju do të duhet të luftoni shumë më tepër për mbijetesën tuaj – jo për mbijetesën e Rusisë, por për tuajën personale”, tha lideri ukrainas.
Letra e plotë e Volodymyr Zelenskyt drejtuar Vladimir Putinit
Kur erdhët në pushtet më shumë se 26 vjet më parë, shumë njerëz në Ukrainë ju shikonin me miratim. Kështu ishte atëherë, por kjo tashmë i përket së kaluarës.
Sot, shumica dërrmuese e ukrainasve e shohin me miratim faktin që dronët tanë me rreze të gjatë veprimi “vizituan” hapjen e forumit tuaj në Shën Petersburg, duke fluturuar mbi 1.000 kilometra. Siç e dini mirë, kjo distancë nuk përfaqëson kufirin e aftësive tona.
Gjatë këtyre 26 viteve, sundimi juaj e ka ndryshuar plotësisht natyrën e marrëdhënieve mes Ukrainës dhe Rusisë. Nga diskutimet për tregtinë dhe çështje të tjera civile, popujt tanë kanë kaluar në biseda që pothuajse ekskluzivisht kanë të bëjnë me sulme dhe humbje.
Pothuajse gjysmën e 26 viteve tuaja në pushtet e keni kaluar në luftë kundër Ukrainës.
Çfarëdo që të thoni për NATO-n, gjeopolitikën apo gjuhën ruse, kjo luftë është zgjedhja juaj personale – një luftë pa arsye të vërtetë. Historia do ta kujtojë në këtë mënyrë.
Këto vite mund të kishin qenë krejtësisht ndryshe.
Pasojat e luftës për Rusinë
Shpesh dëgjojmë se kjo luftë ju përshtatet. Natyrisht, jo kur bëhet fjalë për sigurinë e rezidencës suaj në Valdaj apo paradat në Moskë. Jeta juaj është e çmuar për ju.
Por tani të gjithë e shohim se edhe për rusët kjo realitet po bëhet gjithnjë e më i pakëndshëm – fakti që lufta po sjell pasoja gjithnjë e më të rënda për vetë Rusinë.
Nuk u pëlqejnë dronët dhe raketat tona. Nuk u pëlqejnë mungesat e karburantit dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve. Nuk u pëlqejnë kufizimet e përhershme. Nuk u pëlqen synimi juaj për të nisur një valë të re mobilizimi me qëllim zgjerimin e luftës në Ukrainë ose kundër vendeve të tjera fqinje të Rusisë. Nuk u pëlqen që luftës suaj nuk po i shihet fundi.
Po, ende mund t’i detyroni rusët të jetojnë në këtë mënyrë. Por burimet tuaja po pakësohen ndjeshëm. Nuk do të keni para dhe kapital politik të mjaftueshëm për të blerë besnikërinë e rusëve siç keni bërë gjatë 26 viteve të fundit. Dhe ne do të bëjmë gjithçka që bota të ndihmojë në afrimin e atij momenti.
Siç ju pëlqen të thoni vetë: “Le t’i shohim shifrat”.
Dje mora një raport mbi humbjet e ushtrisë suaj në fushëbetejën e Ukrainës gjatë muajit maj. Numri i ushtarëve rusë të vrarë dhe të plagosur rëndë përsëri e ka tejkaluar shifrën prej 30.000. Këtë nivel humbjesh po e shkaktojmë muaj pas muaji dhe për secilin rast kemi dëshmi me video – këto nuk janë fjalë boshe.
Ne e dimë se 63 për qind e humbjeve tuaja në front përbëhen nga të vrarë, ndërsa vetëm 37 për qind janë të plagosur. Në shekullin XXI asnjë ushtri nuk mund ta përballojë një raport të tillë. Dhe përqindja e të vrarëve do të vazhdojë të rritet.
Nuk është se ne në Ukrainë shqetësohemi për fatin e ushtarëve rusë pas gjithçkaje që lufta juaj i ka sjellë vendit tonë. Por mua më interesojnë ukrainasit. Ne po humbim njerëzit tanë dhe çdo humbje është e dhimbshme për ne. Edhe kur raporti i humbjeve ukrainase dhe ruse është një me pesë ose një me gjashtë, kjo mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme.
Është gjithashtu e rëndësishme që ju, çdo disa muaj, vazhdoni të shtyni afatet tuaja për pushtimin e rajoneve tona – veçanërisht rajonit të Donetskut. Nuk do ta pushtoni as këtë vit.
Por ne në Ukrainë nuk duam një luftë të përhershme. E dimë shumë mirë se jeta pa luftë është pafundësisht më e mirë. Dhe duam ta arrijmë këtë. Jam i bindur se edhe shumica e rusëve do ta mirëprisnin këtë – dhe ju e dini këtë.
Qëndrueshmëria e Ukrainës dhe izolimi i Rusisë
Shumë njerëz nuk besonin se Ukraina do të mund të qëndronte kaq gjatë. Ju nuk besonit. Nuk besonin as ata që ju këshillonin. Ky ishte një gabim.
Ju nuk prisnit një rezistencë të tillë të Ukrainës dhe nuk parashikuat që gjërat do të shkonin kaq larg. Megjithatë, ja ku jemi – në vitin e pestë të kësaj lufte të gjithanshme.
Mos kini frikë të zgjidhni rrugën e daljes nga kjo luftë. Kjo është gjëja kryesore që kërkohet nga ju sot.
Ukraina e ka ruajtur pavarësinë e saj. Dhe do ta ruajë. Pavarësisht të gjitha parashikimeve të kundërta.
Ne kemi bashkuar shumë njerëz në mbarë botën që të qëndrojnë përkrah Ukrainës dhe kundër jush. Kemi gjetur armët dhe financimin që na nevojiteshin. Ne marrim mbështetje. Ju merrni sanksione. Dhe kjo do të vazhdojë derisa të arrihet drejtësia për Ukrainën.
Nuk do të lejojmë të kenë sukses ata që përpiqen t’ju bindin se sanksionet ndaj Rusisë do të zbuten ndjeshëm dhe mbështetja për Ukrainën do të zvogëlohet pa ndonjë ndryshim thelbësor nga ana juaj.
Ukraina i ka përballuar dimrat e ashpër ndërsa ju përpiqeshit të shkatërronit sistemin tonë energjetik. Ne qëndruam të fortë – edhe në errësirë, qëndrueshmëria e ukrainasve mbeti e paprekur.
Ne e kemi sjellë luftën në territorin tuaj, diçka me të cilën nuk do të mund të përballeshit pa ndihmën e Koresë së Veriut. Ju jeni sundimtari i parë rus që i është drejtuar Phenianit për ndihmë. Sot jeni plotësisht i varur nga Kina – gjithashtu për herë të parë në historinë e Rusisë.
Ju besuat se ukrainasit nuk do të kishin forcë të mbroheshin. Megjithatë, sot njerëzit tanë po ndihmojnë partnerët tanë në Lindjen e Mesme dhe në Gjirin Persik për të ndërtuar mbrojtjen e tyre.
Shpresonit për trazira të brendshme në Ukrainë. Në vend të kësaj, formacionet tuaja ushtarake u rebeluan kundër jush.
Propozimi për negociata të drejtpërdrejta
Ne kemi informacione se po shqyrtoni plane për ta vazhduar luftën edhe në vitet 2027 dhe 2028. Ne gjithashtu e dimë se shpresoni që raketat balistike të arrijnë atë që gjithçka tjetër nuk ka arritur.
Mjaft më me luftën.
Ukraina propozon t’i jepet fund asaj. Kjo duhet të bëhet me drejtësi, dinjitet dhe me garanci që lufta të mos shpërthejë sërish.
Ukraina propozon që kjo luftë të përfundojë përmes një bisede të drejtpërdrejtë mes nesh – jush dhe meje.
Propozoj një takim
Të gjithë i kanë dëgjuar përfaqësuesit tuaj të thonë me buzëqeshje se unë mund të vij në Moskë. Por pas këtyre 26 viteve, një udhëheqës ukrainas nuk ka çfarë të kërkojë në kryeqytetin tuaj, ashtu siç një udhëheqës rus nuk ka çfarë të kërkojë në Kiev.
Ekzistojnë vende që tradicionalisht kanë pritur liderë për të zgjidhur çështje lufte dhe paqeje. Zvicra, Turqia dhe vendet e botës arabe janë të gatshme dhe të afta ta organizojnë një takim të tillë.
Janë liderët ata që zgjidhin çështjet kyçe. Kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të jetë gjithmonë.
Propozoj të caktohet një datë e qartë për një takim të tillë.
Korniza për arritjen e paqes
Besojmë se Evropa duhet të jetë pjesë e këtij procesi – ata që kanë vërtet kapacitet të ndikojnë në situatë.
Po ashtu besojmë se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë pjesë e procesit. Kjo mund të ndihmojë në krijimin e një arkitekture të re sigurie për pjesën tonë të botës.
Ne kemi përjetuar shumë marrëveshje me Rusinë, përfshirë marrëveshjet e Minskut, të cilat përfundimisht dështuan. Prandaj duhet të gjejmë përgjigje të drejtpërdrejta për çështjet e mbetura dhe jo të fshihemi pas formulave, grupeve teknike të punës apo humbjes së pafundme të kohës.
Vija aktuale e frontit është pika nga e cila duhet të fillojë diplomacia.
Ukraina është e gatshme për një armëpushim të plotë gjatë negociatave.
Ukraina është gjithashtu e gatshme për shkëmbimin e të gjithë të burgosurve të luftës sipas parimit “të gjithë për të gjithë”, gjë që mund të jetë një hyrje e mirë drejt përfundimit të luftës.
Duhet të ndërmerren hapa seriozë për kthimin e civilëve dhe fëmijëve të dërguar larg gjatë luftës.
Duhet të përcaktojmë se çfarë e ardhmeje i pret brezat e ardhshëm të ukrainasve dhe rusëve.
Zgjedhja është e juaja
Nëse personalisht nuk arrini në përfundimin se ka ardhur koha për t’i dhënë fund kësaj lufte, Ukraina do të vazhdojë të luftojë për mbijetesën e saj. Ne do të kemi mbështetjen e atyre që qëndrojnë me ne.
Por edhe ju do të duhet të luftoni shumë më fort për mbijetesën tuaj – jo për mbijetesën e Rusisë, por për tuajën personale.
Kjo nuk është kërcënim nga ana ime apo nga ana e Ukrainës. Është një fakt i historisë ruse që ju e njihni mirë: kur Rusia lodhet, vijnë ndryshimet.
Ne mund të punojmë për atë lodhje. Ju mund ta ndalni luftën tuaj.
Lavdi e përjetshme për të gjithë ata që humbën jetën në këtë luftë.
Lavdi Ukrainës!. /Telegrafi/
