Nga: Jorge Luis Borges
Përktheu: Erion Karabolli
Islami siguron se ditën e pashmangshme të gjykimit, çdo krijues i imazhit të diçkaje të gjallë do të ringjallet bashkë me veprat e tij dhe do t’i urdhërohet që t’iu japë frymë atyre, por do të dështojë dhe bashkë me to do të hidhet në flakët e ndëshkimit. Unë e kam njohur që fëmijë atë llahtarin e dyfishimit apo shumëfishimit fantazmor të realitetit, por përballë pasqyrave të mëdha. Sapo binte nata, funksionimi i përpiktë dhe i pandalshëm i tyre, përndjekja e veprimeve të mia, imitimi i tyre kozmik, asohere ishin diçka e mbinatyrshme. Një nga lutjet e mia të shpeshta ndaj Zotit dhe engjëllit tim mbrojtës, ishte që të mos ëndërroja me pasqyra. E mbaj mend që i përgjoja gjithë ankth. Shpesh herë, pata frikë se mos fillonin të ndryshonin realitetin; herë të tjera, se mos e shihja fytyrën time në to, të shpërfytyruar prej fatkeqësish të panjohura. Kam marr vesh se kjo frikë është kthyer sërishmi në botë, në mënyrë të mahnitshme. Ngjarja është shumë e thjeshtë dhe e pakëndshme.
Aty nga 1927-a, njoha një vajzë hijevrenjtur: në fillim nëpërmjet telefonit (sepse Hulia zuri fill si një zë pa emër dhe pa fytyrë); pastaj, një buzëmbrëmje, e takova në një kryqëzim. I kishte sytë jashtëzakonisht të mëdhenj, flokët të errët dhe të drejtë, trupin të përpiktë. Ishte mbesë dhe stërmbesë federalësh, ashtu siç isha unë unitarësh, dhe kjo përçarje e hershme e gjakrave tanë, për ne të dy, ishte një nyje bashkimi, një zotërim më i gjerë i atdheut. Ajo jetonte me familjen në një shtëpi të madhe me tavan të lartë dhe të çmobiluar, në zemërimin dhe amështinë e dinjitetit të varfërisë. Buzëmbrëmjeve – rrallë herë netëve – shëtisnim nëpër lagjen e saj, Balvanera. Ecnim përgjatë murëndarësit të hekurudhës; njëherë, nëpër rrugën Sarmiento, mbërritëm gjer tek tokat e shpyllëzuara të Parkut Sentenario. Mes nesh nuk pati dashuri e as trill dashurie: unë përshquaja tek ajo një zjarrmi që s’kishte të bënte fare me erotizmin, dhe ia kisha frikën. Është diçka e zakonshme t’u rrëfesh femrave, për të krijuar një intimitet me to, vazhda të vërteta apo apokrife të së shkuarës fëmijërore; unë duhet t’i kem treguar dikur për pasqyrat dhe kështu paracaktova, në 1928-n, një halucinacion që do të shpërthente në 1931-shin. Tani, sapo mora vesh se qenka çmendur dhe se pasqyrat në dhomën e saj janë të mbuluara, pasi në to sheh shëmbëlltyrën time, që e pushton të sajën, dhe dridhet, hesht dhe thotë se unë e përndjek magjishëm.
Ç’barrë kobzezë ajo e fytyrës sime, ajo e një prej fytyrave të mia të dikurshme. Ai fat i urryer i një prej pamjeve të mia doemos që duhet të më bëjë të urryer edhe mua vetë, por tani s’ka më rëndësi.