Lionel Messi ka zbuluar një këshillë kyçe nga Pep Guardiola gjatë kohës së tyre te Barcelona, një periudhë që konsiderohet nga shumë si epoka e skuadrës më të mirë në historinë e futbollit modern.
Guardiola luajti një rol vendimtar në zhvillimin e Messit, duke e shndërruar nga një talent i jashtëzakonshëm në një lider absolut dhe fitues serik trofesh. Nën drejtimin e tij, Barcelona ndërtoi një identitet të qartë loje, të bazuar në posedim, presion të lartë dhe mentalitet fitues pa kompromis.
Messi, i cili sot mbron ngjyrat e Inter Miami, kujtoi se filozofia e Guardiolës nuk kishte të bënte vetëm me fitoren, por me mënyrën se si ajo arrihej dhe me respektin ndaj lojës dhe kundërshtarit.
“Gjithmonë jam përpjekur të jem respektues. Ne ishim në epërsi 4-0 pas 20 minutash dhe Guardiola gjithmonë na thoshte: ‘Mënyra më e mirë për të respektuar kundërshtarin është të vazhdosh të shënosh më shumë gola’”, ka zbuluar Messi.
Kjo qasje shpjegon pse Barcelona e asaj kohe nuk u mjaftua kurrë me avantazhe minimale, duke vazhduar të sulmonte dhe të dominonte ndeshjet deri në vërshëllimën e fundit. Për Guardiolën, intensiteti dhe serioziteti ishin forma më e pastër e respektit sportiv.
Epoka Guardiola–Messi solli një sërë rekordesh, titujsh dhe paraqitjesh historike, duke ndryshuar përgjithmonë mënyrën se si shihet futbolli sulmues dhe kolektiv. Edhe sot, ajo Barcelonë mbetet pikë referimi për trajnerë dhe skuadra në mbarë botën. /Telegrafi/