Shoqëria civile në Kosovë ka kaluar nëpër tri etapa të dallueshme zhvillimi, të cilat reflektojnë drejtpërdrejt rrethanat politike, shoqërore dhe institucionale të vendit.
Nga organizimi për mbijetesë në vitet ’90, te rindërtimi pas luftës dhe sfidat aktuale të polarizimit e krizës së fondeve, sektori civil ka ndryshuar vazhdimisht formë dhe rol.
Në “Përballje Podcast”, aktivisti i shoqërisë civile Taulant Hoxha theksoi se shoqëria civile duhet parë si një infrastrukturë shoqërore që i përgjigjet gjithmonë kohës në të cilën vepron.
“Si infrastrukturë shoqërore, gjithmonë shoqëria civile është përgjigje ndaj rrethanave të kohës dhe i reflekton nevojat e kohës”, u shpreh ai shkruan Telegrafi.
Vitet ’90: Shoqëria civile si mekanizëm mbijetese
Sipas Hoxhës, cili ka qenë edhe drejtor në KCSF, në vitet nëntëdhjetë shoqëria në Kosovë iu përgjigj rrethanave të një okupimi klasik dhe të një aparteidi, ku nevoja kryesore ishte organizimi për mbijetesë.
“Në vitet nëntëdhjetë, shoqëria jonë i është përgjigjur rrethanave të një okupimi klasik, të një aparteidi, dhe nevojat kanë qenë për ta organizuar shoqërinë për mbijetesë. Si e tillë, shoqëria e Kosovës ka prodhuar një nga format më unike të organizimit të shoqërisë civile”, theksoi ai.
Ai shtoi se pothuajse e gjithë shoqëria kosovare ishte e organizuar në forma të ndryshme të shoqërisë civile, sidomos pas largimeve kolektive nga institucionet në fillim të viteve ’90.
“Gati gjithë shoqëria kosovare ka qenë e organizuar në formë të shoqërisë civile prej fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90, sidomos pas largimeve kolektive nga institucionet dhe vendet e punës në vitin 1991 e tutje”, tha Hoxha.
Si shembuj konkretë, ai përmendi rrjetet humanitare dhe organizatat që mbështetën popullsinë gjatë asaj kohe.
“Shoqata humanitare ‘Nënë Tereza’ kishte një rrjet të jashtëzakonshëm për shpërndarje të ndihmës humanitare, por shumë shpejt edhe të klinikave të vogla e pikave shëndetësore gjithandej Kosovës për t’i ofruar shërbime shëndetësore popullsisë, çka ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme”, deklaroi ai.
Po ashtu, ai theksoi rolin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në dokumentimin e shkeljeve sistematike nga regjimi serb, si dhe ekzistencën e lëvizjeve sindikale dhe të rezistencës paqësore politike.
“Ka pasur lëvizje të ndryshme sindikale, si dhe vetë rezistenca paqësore politike, e cila në njëfarë forme ishte gjysmë organizim i shoqërisë civile, pasi nuk e kishte drejtpërdrejt pushtetin efektiv”, theksoi Hoxha.
Pas luftës – deri në vitin 2008: Rindërtim dhe institucionalizim
Pas përfundimit të luftës, shoqëria civile hyri në një fazë të re, të karakterizuar nga rindërtimi, ndihma emergjente dhe ndërtimi i institucioneve. Kosova, e shkatërruar dhe nën administrim ndërkombëtar, përfitoi një infuzion të madh financiar nga donatorët ndërkombëtarë.
Në këtë periudhë, organizatat joqeveritare u bënë forma dominante e organizimit civil, duke ofruar strukturë për menaxhimin e fondeve dhe raportimin ndaj donatorëve. Sipas Hoxhës, kjo ishte një fazë e domosdoshme për stabilizimin e vendit dhe përgatitjen për shtetndërtim.
– YouTube www.youtube.com
Nga viti 2008 deri sot: Mbikëqyrje, polarizim dhe ripozicionim
Me shpalljen e pavarësisë, fokusi i shoqërisë civile u zhvendos drejt ligjbërjes, politikëbërjes dhe monitorimit të institucioneve.
“Me ndërtimin e shtetit u hapën edhe hapësira për keqpërdorime, prandaj mbikëqyrja u bë e domosdoshme”, tha Hoxha.
Megjithatë, vitet e fundit sektori po përballet me polarizim shoqëror, dominim të agjendave ditore në media dhe rënie të fondeve ndërkombëtare. Përkundër kësaj, ai thekson se shoqëria civile nuk është në zhdukje.
“Shoqëria civile është gjithmonë produkt i rrethanave. Ajo do të ekzistojë sa herë që qytetarët angazhohen për interesin e tyre”, përfundoi Hoxha./Telegrafi/.