Një autore, një prezantuese lajmesh, një avokate dhe një kolege e nderuar: të gjitha ato janë të mira – por, nuk jam i martuar me asnjërën prej tyre. A mund të mbështetemi vërtet te kjo teknologji?
Nga: Martin Rowson, karikaturist dhe autor / The Guardin (titulli: I asked AI to name my wife. To the hopelessly incorrect people it cited, my deepest apologies)
Përkthimi: Telegrafi.com
Së fundmi, familja Rowson shpiki rastësisht një lojë të re të cilën kushdo mund ta luajë në shtëpi. Ende nuk e kam gjetur një emër që do ta pushtonte botën në emër të saj, ndaj për momentin le ta quajmë thjesht “Sa budallaqe është inteligjenca artificiale [IA]”? Loja ndryshon nga një lojtar te tjetri, në varësi të rrethanave – por, në thelb rregullat mbeten të njëjta. Shtroja IA-së një pyetje të thjeshtë për veten dhe shih sa shumë keqkupton.
Në rastin tim, mjafton të dini se teksa unë – për shkak të natyrës së punës sime – kam një prani mjaft të madhe në internet, partnerja ime (u martuam në vitin 1987) ka shmangur me zell praninë e tillë. Kjo do të thotë se nëse kërkoni në Google “Gruaja e Martin Rowsonit”, tek imazhet, mund të dalë një fotografi e imja pranë vajzës sonë atëherë 14-vjeçare ose unë me shoqen dhe kolegen karikaturiste Steven Appleby, e cila është transgjinore, por ka mbajtur emrin e lindjes.
Ndoshta është jashtëzakonisht e pamatur nga ana ime ta them këtë, por mua më duket shumë qesharake. Si satirist, gjithmonë kam qenë i dhënë pas çdo gjëje që nxjerr në pah marrëzinë edhe më të madhe të udhëheqësve tanë, mjetet e padronëve të tyre teknologë ose aftësitë e vërteta të sundimtarëve tanë të rinj robotikë. Gjithsesi, po ia shpjegoja të gjitha këto nuses sonë të ardhshme, gjatë Krishtlindjes, kur fëmijët tanë (në të 30-at e tyre dhe, për rrjedhojë, shumë më të aftë në teknologji se unë) shpjeguan se ishte shumë më argëtuese se kaq dhe se duhej të pyesja: “Kush është gruaja e Martin Rowsonit”?
Imagjinoni kënaqësinë time kur përgjigjja e parë nga përmbledhja e IA-së në kërkimin e Google-it ishte “Jeanette Winterson”. (Për të qenë i qartë, betohem me jetën e të gjithë popullsisë së Luginës së Silikonit se autorja e famshme lezbike assesi nuk është gruaja ime.) Por, u bë edhe më mirë – dhe këtu vjen bukuria sublime e idiotësisë magjepsëse të Mjetit që do ta transformojë botën. Sa herë që e përsëritnim pyetjen, përgjigjja ndryshonte, dhe pastaj ndryshonte sërish. Kjo dukej se varej nga mënyra se si formulohej ose pikëzohej pyetja, por kush e di? Ja lista e grave të mia të pretenduara që përpilova para se më në fund të mërzitesha:
Dizajnerja e tekstileve, Fiona Scott-Wilson.
Poetja Bridget Rose.
Aktorja Fiona Marr, ajo e [serialit] Bridgerton.
Ekonomistja Ann Pettifor.
Julia Mills (edhe pse është e paqartë nëse bëhet fjalë për autoren e librave të fantazisë, ilustratoren, peshëngritësen e ndjerë apo një tjetër Julia Mills).
Shkrimtarja dhe gazetarja Emily Rees.
Avokatja dhe studiuesja Siva Thambisetty, e cila është e martuar me mjeshtrin e madh të shahut, Jonathan Rowson. IA-ja gjithashtu pretendon se Jonathani dhe unë jemi vëllezër. Nuk jemi.
Shkrimtarja dhe gazetarja Carrie McLaren.
Prezantuesja e Channel 4 News, Cathy Newman.
Korrespondentja e CNN-it, Clarissa Ward.
Gazetarja dhe moderatorja Rachel Johnson.
Vajza ime.
Pastaj u bë vërtet e çuditshme. Gruaja Rowson, tha IA-ja, është në fakt “gazetarja dhe autorja Kate Clements Rowson”. E kërkova atë emër në Google: asgjë me kuptim.
Pastaj sugjeroi se jam i martuar me “shkrimtaren/ilustratoren Helen Grant”. Kjo i bie që djali ynë, Leo, është muzikant xhazi. Sërish, kush është ajo? Asgjë në Google. Po Leo, kush është ai? A luan vërtet xhaz? A ekziston?
Ishte “ish-redaktorja politike e Guardian-it dhe CEO-ja aktuale e Fondacionit ‘Joseph Rowntree’, Liz Kerr”. Çfarë? Nuk ka asnjë redaktore politike të Guardian-it, të kaluar apo të tashme, me atë emër. Liz Kerri nuk shfaqet askund në listën e figurave të shquara të Fondacionit “Joseph Rowntree”. Edhe një herë, gjithçka gabim. Dramaturgu Lee Hall u përmend. Ai është mashkull, kështu që nuk mund të ishte assesi gruaja ime.
Sa për “historianen dhe shkrimtaren, Jeanette Winterbottom”. Ne me sa duket kemi punuar së bashku në Librin e satirës të Gardianit dhe në Ditarit e qenit, thuhet këtu. Ndoshta IA-ja e ngatërroi me Jeanette Wintersonit, por atëherë ajo dhe unë nuk kemi bashkëpunuar në ato projekte, nuk ekziston Libri i satirës i Gardianit dhe unë nuk kam botuar kurrë një Ditar të qenit (edhe pse nëse dikush dëshiron të më dërgojë honorare për këtë, do t’i merrja).
Një kërkim tjetër, një tjetër grumbull pallavrash. “Ai ka qenë i martuar me shkrimtaren dhe gazetaren Ann Widdecombe (ish-gruaja e tij), me Cathy Caldwellit, dhe partnerja/gruaja e tij afatgjatë, gazetarja dhe autorja Polly Toynbee është një figurë e shpeshtë pranë tij në media, duke sugjeruar se ata janë një çift i spikatur në rrethet letrare/gazetareske të Mbretërisë së Bashkuar”.
Që ta dini, kam takuar Rachel Johnsonin dhe vetë vajzën time, por nuk jam i martuar me asnjërën prej tyre. Herë pas here roboti dështoi të identifikojë gruan time të vërtetë, për kënaqësinë e të gjithëve, megjithëse së fundmi ka filluar të thotë: “Emri i saj nuk përmendet publikisht në rezultatet e ofruara për kërkim”.
Supozova se kjo sugjeron një kapacitet për të mësuar, por ndoshta jo. E pyeta “kush është gruaja ime”? – edhe një herë për qëllimet e këtij artikulli – dhe IA-ja e Google-it tha se jam i martuar me “Debora Rowsonit (mbiemri i vajzërisë Ffrench)”, një nëpunëse civile në pension, dhe ia atribuoi bashkimit tonë krejtësisht fiktiv vajzën time shtesë, Clementine – edhe një tjetër shkrimtare/gazetare. Me sa duket, unë shkruaj për trazirat tona zbavitëse shtëpiake në rubrikën time imagjinare në Guardian.
Ndërsa martesa ime mitike me motrën e Boris Johnsonit është ashiqare një thesar prej komedie (paramendojeni atë Krishtlindje familjare!), që kjo marrëzi si fryt i një mjeti kërkimi të përmbledhur, universal, të përdorur nga miliarda njerëz – dhe që vazhdimisht është, në çdo rast, duke gabuar – është më shumë sesa shqetësuese.
Duhet ta kemi kuptuar tashmë se IA-ja është po aq e ndjeshme sa një abakus dhe pasqyron vërtet mendjen njerëzore vetëm në aftësinë e saj për të gënjyer njerëzit, duke u thënë atyre atë që “mendon” se ata duan të dëgjojnë. Është gjithashtu një e vërtetë universale që njerëzit më të rrezikshëm në botë janë idiotët që mendojnë se janë vërtet, vërtet të zgjuar (thjesht shikoni përreth dhe do ta kuptoni). Shtoni këto dy fakte së bashku dhe ku dreqin mendoni se do të përfundojmë?
Unë nuk do ta pyesja IA-në për këtë, se ndoshta do të thoshte “bukë bananeje” e pastaj do të ndryshonte mendje në: “Shfarosini të gjithë”! /Telegrafi/